Shtabi Komunal i Kumanovës kërkon zhbllokimin e “Krastës”, banorët e Pçinjës insistojnë në sanimin e plotë të deponisë

Kryetari i Komunës së Kumanovës, Maksim Dimitrievski, i cili gjatë ditës së djeshme u takua me banorët e fshatit Pçinjë dhe të disa vendbanimeve përreth, të cilët për të pestën ditë po protestojnë pranë deponisë “Krasta” dhe nuk lejojnë hyrjen e kamionëve dhe deponimin e mbeturinave komunale. Shkak për bllokadën janë zjarret dhe tymi i vazhdueshëm, të cilat, sipas banorëve, paraqesin rrezik për shëndetin e tyre, shkruan 360 shkallë.

Dimitrievski tha se Komuna e Kumanovës nuk ka lokacion tjetër në territorin e saj ku mund të deponohen ligjërisht mbeturinat komunale. Për këtë arsye, Shtabi Komunal e ka mbështetur kërkesën e Ndërmarrjes Publike “Pastrim & Gjelbërim”, e cila menaxhon deponinë, drejtuar Sektorit për Punë të Brendshme (SPB) të Kumanovës, për sigurimin e qarkullimit të papenguar të kamionëve që transportojnë mbeturinat nga qyteti drejt deponisë. Ai tha se grumbullimi jo i rregullt i mbeturinave mund të shkaktojë probleme shtesë për qytetin dhe rreziqe për shëndetin publik, transmeton MIA.

“Nuk mundemi që, duke zgjidhur një problem, të hapim një problem të madh për të gjithë qytetin. I kuptoj qytetarët dhe të drejtën e tyre për të protestuar, por kam për detyrë t’u bëj thirrje institucioneve të veprojnë, në mënyrë që të mundësohet ofrimi i shërbimit publik”, tha Dimitrievski.

Gjatë takimit pranë deponisë, ai u bëri thirrje banorëve që të lejojnë hyrjen e automjeteve të Ndërmarrjes Publike “Pastrim & Gjelbërim” në pjesët e deponisë ku nuk ka zjarr, ndërkohë që vazhdojnë aktivitetet për shuarjen e tij dhe sanimin e deponisë.

Nga ana tjetër, banorët e Pçinjës dhe vendbanimeve përreth mbeten në qëndrimin se bllokada duhet të vazhdojë derisa të shuhet zjarri. Stojan Stojkovski, përfaqësues i banorëve, tha se protestat nuk janë kundër grumbullimit të mbeturinave në Kumanovë, por kundër deponimit të tyre në një vend nga i cili tymi përhapet sërish drejt vendbanimeve.

“Qëndrimet tona janë të qarta. Nuk tërhiqemi nga bllokada derisa të shuhet zjarri në deponi. Konsiderojmë se është vepër penale të dërgohen mbeturina të reja në një deponi të përfshirë nga zjarri, e më pas ajo të lëshojë sërish tym drejt fshatit dhe të përsëritet e njëjta situatë. Për gjashtë muaj nuk u ndërmor asgjë, ndërsa pas paralajmërimit për bllokadë filluan të punojnë. Tani duan ta zgjidhin problemin menjëherë”, deklaroi Stojkovski.

Ai paralajmëroi se banorët do ta vazhdojnë bllokadën edhe të martën, duke shtuar se pushteti lokal dhe ai qendror duhet të gjejnë një mënyrë për deponimin e mbeturinave në një lokacion tjetër, derisa të zgjidhet problemi në “Krasta”. Si një nga mundësitë, ai e përmendi deponinë “Drislla”. 

Çfarë përfundimesh miratoi Shtabi Komunal për Mbrojtje dhe Shpëtim?

Ndërkohë, Shtabi Komunal për Mbrojtje dhe Shpëtim i Kumanovës mbajti sot një takim, në të cilin u miratuan përfundime lidhur me veprimet që duhet të ndërmarrin institucionet kompetente për zhbllokimin e deponisë. Nga SPB-ja e Kumanovës është kërkuar të veprojë sipas kërkesës së Ndërmarrjes Publike “Pastrim & Gjelbërim” dhe të mundësojë një korridor për qarkullimin e papenguar të kamionëve që transportojnë mbeturinat.

Ndërmarrja publike duhet të sigurojë menjëherë praninë e vazhdueshme të makinerisë ndërtimore për mbulimin e mbeturinave të deponuara me dhe. Është paraparë edhe dërgimi i përditshëm i materialit ndërtimor, përfshirë dheun dhe mbetjet inerte nga gërmimet, të cilat duhet të shpërndahen mbi sipërfaqen e mbeturinave të sjella gjatë ditës.

Shtabi rekomandoi vendosjen e kamerave shtesë të mbikëqyrjes në hyrje, dalje dhe në pikat e qasjes në deponinë “Krasta”, pasi kamerat ekzistuese nuk janë të mjaftueshme. Parashihet edhe vendosja e kamerave për monitorim shtesë, përforcimi i shërbimeve të rojës dhe i sigurimit fizik, me qëllim parandalimin e hyrjes së personave të paautorizuar.

Në përfundime është përfshirë edhe nevoja për riparimin e pjesëve të dëmtuara të rrethojës mbrojtëse dhe vendosjen e rrethojës së re në vendet ku ajo mungon.

Drejtori i Ndërmarrjes Publike “Pastrim & Gjelbërim”, është ngarkuar që, në bashkëpunim me banorët lokalë, të formojë një grup monitorues, përkatësisht patrullë ekologjike, të përbërë nga përfaqësues të bashkësive lokale dhe organizatave joqeveritare nga fshatrat Pçinjë, Studena Bara, Vak’v dhe Vinçe. Grupi, në bashkëpunim me përfaqësuesit e ndërmarrjes, duhet të kryejë monitorim javor të gjendjes në deponi.

Sipas kryetarit të komunës, Dimitrievski, zgjidhja afatgjatë e problemit me deponinë “Krasta” duhet të sigurohet përmes ndërtimit të një stacioni transferimi të mbeturinave dhe krijimit të një sistemi rajonal për përpunimin dhe menaxhimin e tyre.

Në projekt janë përfshirë 15 komuna nga të dy rajonet, ndërsa për realizimin e tij është formuar një ndërmarrje publike rajonale. Dimitrievski tha se procedura për përzgjedhjen e kompanisë që do t’i kryejë punimet ndërtimore është në fazë të avancuar dhe se dokumentacioni i është dorëzuar Delegacionit të Bashkimit Evropian, nga i cili sigurohen mjetet financiare.

“Zgjidhja e vetme afatgjatë për këtë deponi është sanimi dhe mbyllja e saj, ndërtimi i një qendre transferimi të mbeturinave në këtë hapësirë dhe ndërtimi i një fabrike për përpunimin e mbeturinave për të dy rajonet, në të cilat janë përfshirë 15 komuna. Të gjithë procedurën e menaxhon Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor dhe duhet të kontrollohet se deri ku ka arritur”, tha Dimitrievski.

Ai paralajmëroi se, nëse në periudhën e ardhshme nuk gjendet zgjidhje për ngecjen e projektit rajonal, do t’i kërkojë Këshillit të Komunës së Kumanovës ta rishqyrtojë vendimin për pjesëmarrjen e komunës në projekt. Siç shtoi, komuna i ka përmbushur obligimet e saj në kuadër të projektit, në të cilin merr pjesë që nga viti 2015, por realizimi varet edhe nga institucionet kompetente që e udhëheqin procedurën.

Ndryshe, disa lagje të Kumanovës vazhdimisht përballen me mosgrumbullimin e mbeturinave nga ana e NP “Pastrim & Gjelbërim”. Kjo situatë po shndërrohet në një kërcënim serioz për shëndetin e qytetarëve dhe po rrezikon ambientin jetësor. Ndërkohë në Kumanovë janë shtrenjtuar edhe shërbimet e mbeturinave. Këshilli Komunal i Kumanovës ka miratuar rritjen për rreth 30% të çmimit të grumbullimit dhe transportit të mbeturinave.  .

EkologjiKomuna e KumanovësKumanovaNdotja e tokës mbeturina