Shpërndarja e parave për reklamat zgjedhore në RMV për momentin mbetet sipas të njëjtës formulë

Shpërndarja e parave për reklamat zgjedhore mbetet në pikëpyetje. Gjykata Kushtetuese nuk ka shumicë gjatë votimit për pranimin e iniciativës së Levicës dhe Demokratëve. Do të votohet në ndonjë nga seancat e ardhshme. Gjykatësit sot shqyrtuan lëndën për vlerësimin e kushtetutshmërisë së pjesëve të legjislacionit zgjedhor, transmeton Portalb.mk.

Nga partitë politike kontestohen disa dispozita të Kodit Zgjedhor, të cilat kanë të bëjnë me shpërndarjen e hapësirës mediatike dhe mjeteve për reklamim politik. Por, nga Gjykata Kushtetuese njoftuan se për momentin nuk ka shumicë prej pesë votash “për”, edhe përkundër pranisë së shtatë gjykatësve, që do të thotë se lënda mbetet e hapur. Megjithatë, nga gjykata nuk saktësuan se sa nga gjykatësit e mbështesin iniciativën.

Gjatë diskutimit, gjykatësi Kadriu propozoi që të fillojë procedura lidhur me iniciativat.

“Ky diskriminim vërehet veçanërisht në qasjen e pabarabartë dhe në mundësitë në proceset zgjedhore të të gjitha partive politike. Atyre u mohohen mundësitë dhe me këtë edhe shanset për të konkurruar. Nuk kam asnjë dilemë dhe nuk paraqitet asnjë rezervë tek unë dhe në mendimin tim, në rastin konkret dhe lidhur me këto iniciativa, që të fillojë procedura”, tha Osmani Kadriu, gjykatës kushtetues.

Në seancën e gjykatës pati qëndrime të kundërta – disa nga gjykatësit paralajmëruan për një vakum të mundshëm juridik, ndërsa të tjerë thanë se nuk ka vend për politikë në vendimmarrje.

“Në kushte kur vështirë arrihet konsensus për ndryshime dhe plotësime të Kodit Zgjedhor, me marrjen tonë eventuale të një vendimi për fillimin e procedurës dhe më pas për shfuqizimin e këtyre zgjidhjeve, de facto, të mos them edhe de jure, ne do të lëmë hapësirë e cila nuk do të jetë e rregulluar”, tha Tatjana Vasiq – Bozhaxhieva, gjykatëse kushtetuese.

“Vërtet jam alergjike kur në Gjykatën Kushtetuese në seancë flitet në përgjithësi për politikë dhe kur përmenden se cilat janë gjendjet. Ne vlerësojmë kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë, e jo se cili është realiteti politik”, tha Dobrilla Kacarska, gjykatëse kushtetuese.

Nga Levica paralajmërojnë se refuzimi eventual i iniciativës do të nënkuptonte legalizimin e kushteve të pabarabarta për pjesëmarrje në zgjedhje, por edhe një precedent të rrezikshëm.

“Levica nuk kërkon financa. Levica kërkoi dhe kërkon qasje të barabartë në hapësirën mediatike, në reklamimin në televizione, portale dhe billborde. Kjo nuk është mëkat, por duhet të pyesim veten pse kemi një pushtet që përpiqet ta imponojë autoritarizmin e tij si normë. Tashmë kemi pasur precedent në zgjedhjet e kaluara. Nëse sot e konfirmojmë atë precedent, kjo do të thotë se çdo parti e ardhshme që do të dëshirojë t’ua prishë llogaritë partive të oligarkisë do të mund të marrë një trajtim të tillë. A duhet të jetë kjo në rregull për të gjithë ne?!”, deklaroi Amar Mecinoviq, deputet nga Levica.

Ndërsa në Kuvend dhe në Gjykatën Kushtetuese po zhvillohen debate për Kodin Zgjedhor dhe financimin shtetëror, Komisioni Kundër Korrupsionit në Strategjinë e re Kombëtare propozon heqjen e plotë të financimit zgjedhor nga buxheti deri në gjysmën e parë të vitit 2028, për shkak se ky segment nuk është i rregulluar mjaftueshëm ligjërisht dhe nuk ka asnjë kontroll.

Kujtojmë se Enti Shtetëror për Revizion (ESHR) kërkon rishikim të metodës së shpërndarjes së fondeve për reklama politike të paguara për pjesëmarrësit në fushatat zgjedhore, si dhe harmonizimin e ligjeve që rregullojnë taksimin e aktiviteteve zgjedhore. Auditorët njoftuan gjithashtu se mbi 129 milionë denarë nga buxheti i destinuar për aktivitetet zgjedhore në vitin 2024 u ridrejtuan në kostot e reklamave politike.

Përndryshe, gati 4.8 milionë euro publike kanë përfunduar në llogaritë e mediave gjatë zgjedhjeve të fundit lokale në Maqedoninë e Veriut. Partitë politike kanë vendosur vetë se sa para, cilës media do i ndajnë. Mbi 3.3 milionë euro kanë përfituar televizionet ndërsa portalet e internetit dhe gazetat kanë inkasuar rreth 377 mijë euro.

Buxheti i shtetitE Majta – Levica partiaGjykata Kushtetuese RMVParti politikeReklamim