Edhe 20 institucione do t’i bashkohen sistemit elektronik të dokumenteve, paralajmëroi ministri Andonovski

Maqedonia shënon “përparim të mire” në Kapitullin 10 – Transformimi Digjital dhe Mediat, ndërsa niveli i gatishmërisë është vlerësuar si “mesatar deri në të mire”, deklaroi ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski, në konferencën e sotme për shtyp. Ministri prezantoi gjetjet kryesore të Raportit të Komisionit Evropian për vitin 2026 dhe rezultatet në pesë fusha të transformimit digjital. Pas vlerësimeve “përparim i kufizuar” në periudhën 2021–2024 dhe “përparim i caktuar” në vitin 2025, vlerësimi i këtij viti, sipas Andonovskit, përbën konfirmim të reformave të zbatuara, transmeton Portalb.mk.

Në fushën e shërbimeve elektronike për qytetarët dhe kompanitë, ai theksoi se deri në fund të gushtit në Portalin Kombëtar ishin në dispozicion 338 shërbime. Prioriteti i radhës është që këto procedura të mund të përfundojnë tërësisht në mënyrë elektronike, nga dorëzimi i kërkesës deri në marrjen e dokumentit, pa pasur nevojë për vizita shtesë nëpër institucione.

Si fushë të dytë kyçe, Andonovski veçoi ndërveprueshmërinë, përkatësisht shkëmbimin e të dhënave ndërmjet institucioneve.

“Institucionet duhet të shkëmbejnë të dhëna. Nuk duhet t’i kërkojmë qytetarit të jetë ndërmjetës mes dy institucioneve shtetërore”, deklaroi Andonovski.

Përparim është shënuar edhe në menaxhimin elektronik të dokumenteve. Komisioni Evropian konstaton se deri në fund të qershorit të vitit 2026, sistemin qendror për menaxhimin elektronik të dokumenteve dhe arkivimin elektronik, eDMS, e përdornin 44 institucione.

“Kërkesa mund të arrijë në mënyrë elektronike, por nëse më pas shtypet, bartet nga një zyrë në tjetrën dhe pritet nënshkrimi fizik, procedura mbetet e ngadaltë. Me eDMS punojmë në të gjithë rrjedhën e lëndës: pranimin, shpërndarjen, trajtimin, nënshkrimin dhe arkivimin”, tha Andonovski.

Ministri paralajmëroi se gjatë muajve të ardhshëm platformës do t’i bashkohen edhe 20 institucione të tjera.

Qëllimi është që puna elektronike të bëhet praktikë e përditshme në administratë, duke mundësuar organizim më efikas të punës, përgjegjësi më të madhe dhe pasqyrë të qartë mbi ecurinë e lëndëve.

Agjenda Digjitale e BEAgjenda ReformueseDigjitalizimMinistria e Transformimit Digjital (MTD)Raporti i Komisionit Bashkimit Evropian (KE) për MaqedoninëStefan Andonovski