Enti Shtetëror për Revizion (ESHR) kërkon rishikim të metodës së shpërndarjes së fondeve për reklama politike të paguara për pjesëmarrësit në fushatat zgjedhore, si dhe harmonizimin e ligjeve që rregullojnë taksimin e aktiviteteve zgjedhore. Auditorët njoftuan gjithashtu se mbi 129 milionë denarë nga buxheti i destinuar për aktivitetet zgjedhore në vitin 2024 u ridrejtuan në kostot e reklamave politike, transmeton Portalb.mk.
Pas auditimit të pasqyrave financiare, së bashku me një auditim të përputhshmërisë së Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, në llogarinë e buxhetit bazë për vitin 2024, ESHR kujton se paratë e zgjedhjeve shpërndahen sipas një marrëveshjeje paraprake me shkrim.
Me fjalë të tjera, një maksimum prej 45 përqind e byrekut të reklamave mund të përdoret nga dy partitë më të mëdha politike në pushtet me më shumë vota për deputetë në zgjedhjet e fundit. E njëjta shumë (maksimumi 45 përqind) shkon për dy partitë opozitare sipas të njëjtit parim, maksimumi 7 përqind për partitë që nuk kishin mjaftueshëm deputetë për të formuar grup parlamentar dhe – 3 përqind për partitë që nuk janë të përfaqësuara në Kuvend.
“Shpërndarja e fondeve totale sipas parimit 45%, 45%, 7% dhe 3% nuk ofron kritere objektive për shpërndarjen e fondeve publike, duke u dhënë një avantazh të konsiderueshëm partive më të mëdha parlamentare, ndërkohë që kufizon mundësitë e partive të tjera dhe kandidatëve të pavarur për të prezantuar programet e tyre te transmetuesit, mediat elektronike dhe të shtypura”, vëren ESHR-ja.
“Dispozita për lidhjen e një marrëveshjeje paraprake me shkrim midis pjesëmarrësve në fushatën zgjedhore krijon mundësinë që shpërndarja e fondeve të kryhet në një mënyrë dhe % (përqindje) të ndryshme midis partive politike në pozitë/opozitë/partive politike në Kuvendin e Maqedonisë që nuk fituan mjaftueshëm deputetë për të formuar grup parlamentar në zgjedhjet e fundit parlamentare/partive politike që nuk janë të përfaqësuara në Kuvend ose kandidatëve, pa pasur kritere të matshme të përcaktuara qartë për shpërndarjen e këtyre fondeve”, shtoi Revizioni.
Përveç këtyre dobësive sistemike, ESHR-ja shprehu mendim të pafavorshëm mbi “realitetin dhe objektivitetin e raporteve financiare të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve dhe përputhshmërinë e tyre me rregulloret ligjore, udhëzimet dhe politikat e përcaktuara”.
“Inventari i aseteve dhe detyrimeve nuk u krye në mënyrën e përcaktuar nga ligjet dhe aktet nënligjore. Vlera e disa prej pasurive të paluajtshme nuk u vlerësua. Planifikimi dhe miratimi i fondeve për zbatimin e zgjedhjeve të vitit 2024 nuk është kryer në përputhje me raportin e përcaktuar ligjërisht”, përfundon raporti.
Në të njëjtën kohë, auditorët përcaktuan se dokumentacioni i nevojshëm për kostot e aktiviteteve zgjedhore të kryera iu dorëzua organeve zgjedhore në mënyrë të parakohshme dhe të paplotë.
“Mallra dhe shërbime u blenë për të cilat nuk u krye prokurim publik dhe dispozitat e Ligjit për Prokurimin Publik u zbatuan në mënyrë jokonsistente në procedura të caktuara”, thuhet në raport.
Përveç zgjedhjeve të vitit 2024, kritika për reklamat politike erdhën edhe për zgjedhjet e fundit lokale – nga OSBE-ja. Ata theksuan se fondet publike përbëjnë një pjesë të konsiderueshme të financimit total, por shpërndarja e tyre favorizon partitë më të mëdha, duke lënë “vetëm mundësi të kufizuara” për partitë e vogla dhe kandidatët e pavarur.
“Dobësitë sistemike në financim favorizojnë partitë në pushtet dhe kufizojnë konkurrencën politike”, tha OSBE-ja.
Përndryshe, gati 4.8 milionë euro publike kanë përfunduar në llogaritë e mediave gjatë zgjedhjeve të fundit lokale në Maqedoninë e Veriut. Partitë politike kanë vendosur vetë se sa para, cilës media do i ndajnë. Mbi 3.3 milionë euro kanë përfituar televizionet ndërsa portalet e internetit dhe gazetat kanë inkasuar rreth 377 mijë euro.
- LEXO: 900 mijë euro reklama zgjedhore nga LSDM: Para edhe për portale anonime dhe ish zyrtar
- LEXO: Lokalet 2025 në RMV: Gati 5 milionë euro për reklama zgjedhore, këto janë mediat që morën më shumë para
- LEXO: VLEN shpenzoi 640 mijë euro për reklama zgjedhore: Para edhe për portale të funksionarëve, aktivistëve dhe media anonime
- LEXO: Mbi 800 mijë euro reklama zgjedhore nga AKI: Portalet e afërta me BDI-në ndër përfituesit kryesorë, para edhe për media pa autor
- LEXO: VMRO-ja shpenzoi 1.4 milionë euro për reklama zgjedhore: Portalet e një kompanie hungareze ndër përfituesit më të mëdhenj
- LEXO: Kodi Zgjedhor dhe reklamimi i paguar politik në RMV, burime të një konkurence të padrejtë zgjedhore