Prokuroria Themelore Publike në Kavadar ka nisur procedurë kundër drejtoreshës së një institucioni të kursimeve në këtë qytet, e cila dyshohet për përvetësim dhe keqpërdorim të mjeteve financiare të qytetarëve, transmeton Portalb.mk.
Prokuroria Publike e Republikës njoftoi sot se prokuroria kompetente po ndërmerr veprime hetimore paraprake ndaj drejtoreshës, për shkak të dyshimeve se ka kryer disa vepra penale: keqpërdorim të pozitës dhe autorizimit zyrtar, dëmtim dhe hyrje të paautorizuar në sistem kompjuterik, si dhe përvetësim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare.
„Ekziston dyshimi i bazuar se e dyshuara, drejtoreshë e një filiali të institucionit të kursimeve në Kavadar, për një periudhë të gjatë kohore ka ndërmarrë veprime mashtruese dhe ka keqpërdorur paratë e depozituesve“, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Në përshkrimin e shkurtër të rastit thuhet se drejtoresha kishte realizuar kredi fiktive në emër të qytetarëve të dëmtuar, nuk i kishte regjistruar siç duhet depozitat e tyre dhe në këtë mënyrë kishte përfituar pasuri në mënyrë të kundërligjshme.
Me qëllim të sigurimit të provave, me kërkesë të prokurorit publik dhe me urdhër gjykate, dje janë kryer bastisje, gjatë të cilave janë sekuestruar dokumentacion dhe sende të tjera.
Sipas Prokurorisë, pasi janë zbuluar veprimet e kundërligjshme të drejtoreshës, institucioni i kursimeve ia ka ndërprerë marrëdhënien e punës.
Për shkak të rrezikut të arratisjes, prokurori publik i ka paraqitur gjykatës propozim që ndaj të dyshuarës të caktohen masa kujdesi, përkatësisht konfiskimi i pasaportës dhe detyrimi për t’u paraqitur rregullisht në gjykatë.
Nga Prokuroria Publike shtojnë se po vazhdojnë të ndërmarrin veprime për zbardhjen e plotë të rastit.