Zgjedhjet në Serbi po vënë në provë pozicionin e Moskës në Ballkanin Perëndimor

Zgjedhjet e mëparshme në Bosnjë dhe Hercegovinë ishin në fokus të Rusisë.

E njëjta gjë vlen edhe për zgjedhjet e sotme që po zhvillohen në Serbi.

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë Maria Zakharova në prag të zgjedhjeve parlamentare tha se përgatitjet për zgjedhjet po zhvillohen në përputhje me procedurat kushtetuese ekzistuese.

“Presim që qeveria e re serbe të vazhdojë kursin e saj drejt një bashkëpunimi të barabartë dhe me përfitim të ndërsjellë me Rusinë.”

“Siç e kemi theksuar në mënyrë të përsëritur, Serbia është një shtet mik për ne. Popujt e vendeve tona janë të lidhur nga një histori, tradita dhe kulturë e përbashkët. Ne i vlerësojmë këto lidhje dhe presim që qeveria e re e Serbisë të vazhdojë politikën e zhvillimit të një bashkëpunimi me Rusinë, i cili duhet të jetë reciprokisht i dobishëm dhe i bazuar në parimin e barazisë.”- tha ajo në një deklaratë postuar në X.

Gjatë dy shekujve të fundit, marrëdhëniet ruso-serbe janë zhvilluar në mënyrë lineare, pavarësisht konflikteve apo jo.

Prej më shumë se një dekade, Serbia e ka thelluar bashkëpunimin me Rusinë në të gjitha fushat.

Ky bashkëpunim e ka minuar BE-në, pasi Beogradi i ka injoruar shtetet evropiane jo vetëm në lidhje me luftën në Ukrainë, ku ka mbajtur një qëndrim të dyfishtë, por edhe duke forcuar lidhjet me Rusinë në sferën energjetike dhe atë ushtarake.

Kështu vetë presidenti serb Aleksandar Vuçiç para se të shpërndante parlamentin e ftoi presidentin e Ukrainës Volodymyr Zelensky në Beograd për të krijuar një imazh pozitiv para botës.

Ndërkaq, Rusia që nga vjeshta e vitit 2024 që kur filluan protestat e studentëve ka treguar një rritje të aktivitetit në Serbi.

Në Rusi ekziston drojë nëse opozita bashkë me lëvizjen studentore dalin fitues dhe arrijnë të formojnë një qeveri stabile, atëherë Serbia mund të ndjekë rrugën e Hungarisë drejt demokratizimit dhe një distancimi hap pas hapi nga Rusia.

Një raport i revistës online “Riddle Russia” thotë se në qershor të vitit 2026, Sergey Shoygu, Sekretar i Këshillit të Sigurimit të Rusisë, e krahasoi lëvizjen mes të rinjve me ngjarjet e “Euromaidanit” të vitit 2014 në Ukrainë.

Po në gusht të vitit 2026, diplomatët rusë vazhduan t’i paralajmëronin autoritetet serbe për një skenar të mundshëm të një “revolucioni me ngjyra” pas zgjedhjeve.
Në shtator të vitit 2025, Shërbimi i Inteligjencës së Jashtme të Rusisë (SVR) akuzoi BE- në për nxitje të “revolucioneve me ngjyra”.

Dmitry Medvedev, nënkryetar i Këshillit të Sigurimit, u bë zyrtari i radhës i lartë rus që akuzoi Perëndimin për ndërhyrje në procesin zgjedhor në Serbi.
Në ndërkohë Serbia dhe Rusia kanë vazhduar raportet tregtare.

“Mbi 2400 kompani ruse me rreth 13.500 sipërmarrës individualë janë aktualisht të regjistruar në Serbi”, tha për agjencinë ruse TASS ministri serb Nenad Popoviç.
Për sa u përket zgjedhjeve të sotme, Partia Progresive Serbe (SNS) sipas anketave është në avantazh të ngushtë, ndërsa disa vëzhgues kanë shprehur shqetësime lidhur me korrektësinë e zgjedhjeve.

Zgjedhjet në Serbi janë një tregues vendimtar për drejtimin që do të marrë vendi deri në vitin 2030 dhe pas.

Mbështetësit e Vuçiçit besojnë se, nën qeverisjen e tij, Serbia do të bëhet një shtet i fuqishëm, duke ruajtur njëkohësisht marrëdhënie të mira me BE-në, Rusinë e Kinën, si dhe lidhje të forta me ShBA-në.

Agjencia amerikane e lajmeve AP njoftoi se mbështetja për lëvizjen studentore është rritur.

Ajo qëndron shumë afër në anketa të pavarura me Partinë Progresive Serbe (SNS).

Nga ana tjetër, opozita dhe lëvizja studentore (Lista e Studentëve) kanë mundësi reale të fitojnë më shumë vende në parlamentin serb.

Megjithatë, atyre u mungon një vizion i qartë për sa i përket çështjes së Kosovës.

Qëndrimi i tyre mbetet në të njëjtin nivel me atë të partisë së Vuçiçit.

Pavarësisht se kush do të fitojë dhe do ta mbajë pushtetin në vitet e ardhshme, Rusia siç e kemi përmendur ka interesa të mëdha në Serbi dhe në rajon.

Ministri i Jashtëm i Rusisë Sergej Lavrov më 16 tetor të këtij viti u takua në Moskë me zëvendëskryeministrin e Serbisë, Ivica Daçiq.

“Palët diskutuan për gjendjen aktuale të bashkëpunimit ruso-serb dhe perspektivat e tij në të ardhmen në fusha kyçe.”

“Ministrat nënvizuan rëndësinë themelore të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit (KS) të OKB-së për zgjidhjen e problemit të Kosovës, si dhe interesin e tyre të ndërsjellë për ruajtjen e stabilitetit në rajon.” – thuhet në postimin e MPJ të Rusisë në X.

Në këtë drejtim gjatë një mbledhje në Këshillin e Sigurimit të OKB-së në Nju-Jork, zëvendëspërfaqësuesja e SHBA-së ambasadorja Tammy Bruce tha se presidenti Trump e vlerëson dhe interesohet si për Kosovën, ashtu edhe për Serbinë, dhe dëshiron paqe, stabilitet e prosperitet.

“Normalizimi i marrëdhënieve mes dy vendeve është e vetmja rrugë e qëndrueshme përpara. Qëndrimi ynë lidhur me UNMIK-un nuk ka ndryshuar. Misioni e ka përmbushur tashmë qëllimin e tij dhe Këshilli i Sigurimit duhet ta mbyllë atë.”- tha Bruce.

Në kontekst të vazhdimit të ndikimit rus në Serbi dhe në Ballkan, në dhjetë vitet e fundit lidhja strategjike Serbi- Rusi ka evoluar nga patronazhi perandorak në një pragmatizëm modern.

Historikisht partneriteti ka marrë forma të ndryshme.

Në Kongresin e Berlinit më 1878, Rusia cariste u bë mbrojtëse e popullsisë së krishterë në Ballkan, një qëndrim që kulmoi me mbështetjen e saj për Serbinë dhe, më pas, për Malin e Zi.

Me kalimin e kohës, kjo mbështetje mori një karakter tjetër.

Rusia e mbështeti Serbinë në përpjekjet e saj për të mposhtur Austro-Hungarinë.

Pas vitit 1918, lidhja sovjeto-jugosllave vazhdoi pa ndërprerje. Në vjeshtën e vitit 1944, trupat e Ushtrisë së Kuqe e çliruan Beogradin nga forcat gjermane. Ndonëse krisja mes Titos dhe Stalinit në vitin 1948 e shkëputi më vonë Jugosllavinë nga blloku sovjetik, që nga viti 1991 është vënë re një rikthim i ndikimit rus në Ballkan, veçanërisht në Serbi dhe në Republikën Serbe (Republika Srpska).

Sot mund të thuhet se marrëdhëniet ruso-serbe janë të natyrës transaksionale.

Në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, Rusia ka përdorur të drejtën e vetos për të bllokuar Kosovën.

Ndërkohë, perceptimet për Serbinë kanë filluar të ndryshojnë brenda BE-së dhe ShBA-së, një ndryshim i ndikuar nga zhvillimet në ShBA dhe në vetë BE-në, si dhe nga “dënimi” që Serbia i ka bërë agresionit rus në Ukrainë, ndonëse ajo nuk i ka shkëputur kurrë lidhjet me Rusinë.

Marrëdhëniet ushtarake serbo-ruse kanë vazhduar, me fokus në forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të Serbisë përmes sigurimit të avionëve ushtarakë rusë. Në sektorin e energjisë, një kompani ruse nafte (GAZPROM NEFT) zotëron një pjesë të konsiderueshme aksionesh në ndërmarrjen shtetërore serbe, (NIS).

Serbia e ka të vështirë të mbijetojë pa gazin rus, prandaj, pavarësisht se kush do të dalë fitues në zgjedhjet, qeveria e re serbe ka gjasa t’i mbajë marrëdhëniet me Rusinë pothuajse plotësisht të paprekura.

Pavarësisht këtyre garancive, është në interesin më të mirë të Rusisë që të mos ketë ndryshime radikale në politikën serbe.

Deklarata e lartpërmendur e zëdhënëses të Ministrisë së Jashtme ruse duhet parë në këtë dritë.

Kolumnat e PortalbitSelim Ibraimi