Reshjet e dendura të shiut që përfshinë pasditen e sotme Shkupin shkaktuan probleme në disa pjesë të qytetit, ndërsa në hyrje të Butelit disa automjete mbetën të bllokuara dhe u përmbytën nga uji i grumbulluar në nënkalime. Pas situatës së krijuar, kryetari i Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski, njoftoi se Shtabi i Krizave i Qytetit të Shkupit, së bashku me shërbimet dhe ndërmarrjet publike, është mobilizuar plotësisht dhe i gatshëm për ndërhyrje të shpejtë në rast të dëmeve, përmbytjeve apo nevojës për reagim urgjent, transmeton Portalb.mk.
Ai bëri të ditur se autoritetet janë në koordinim të vazhdueshëm me Qendrën për Menaxhim me Kriza, Ministrinë e Punëve të Brendshme, EVN-në, Brigadën e Zjarrfikësve të Qytetit të Shkupit dhe institucionet e tjera kompetente.
“Ekipet e Qytetit të Shkupit do të jenë në dispozicion gjatë gjithë natës dhe do të ndërhyjnë kudo që të jetë e nevojshme. Ne nuk mund ta ndalojmë stuhinë, por mund të parandalojmë dëme të mëdha në një mënyrë të organizuar, të përgjegjshme dhe të përbashkët”, tha Gjorgjievski, duke u bërë thirrje qytetarëve për kujdes, qetësi dhe bashkëpunim me institucionet.
Edhe Komuna e Çairit njoftoi se ekipet komunale, së bashku me ekipet e NP “Parqe dhe Gjelbërime”, Shtabin e Krizave dhe shërbimet e tjera kompetente, ndodhen në terren dhe po monitorojnë vazhdimisht gjendjen.
Nga komuna apeluan që qytetarët të shmangin lëvizjet e panevojshme në zonat e rrezikuara dhe të raportojnë në numrin 112 çdo rast të drunjve të rrëzuar, degëve të thyera apo pengesave të tjera në rrugë, në mënyrë që ekipet të ndërhyjnë sa më shpejt.
“Shërbimet komunale do të jenë në dispozicion gjatë gjithë natës për të reaguar ndaj çdo situate të shkaktuar nga reshjet dhe erërat e forta. Apelojmë te qytetarët të tregojnë kujdes, të shmangin lëvizjet e panevojshme në zonat e rrezikuara dhe të bashkëpunojnë me shërbimet kompetente. Qytetarët që evidentojnë drunj të rrëzuar, degë të thyera apo pengesa të tjera në rrugë, luten t’i paraqesin në numrin 112, në mënyrë që ekipet të mund të ndërhyjnë sa më shpejt. Të gjitha ekipet janë vazhdimisht në terren dhe po punojnë për sanimin e situatës dhe ofrimin e ndihmës kudo që paraqitet nevoja”, thanë nga Komuna e Çairit.
Video gjatë reshjeve në Shkup:
Kujtojmë se moti i ligë ka shkaktuar edhe më herët probleme në Shkup. Gjatë stuhive të mëparshme janë raportuar dëme materiale në disa pjesë të qytetit, përfshirë rrëzim të drunjve, dëmtim të automjeteve dhe ndërprerje të përkohshme të komunikacionit. Në raste të tilla, Qendra për Menaxhim me Kriza u ka bërë vazhdimisht thirrje qytetarëve të bashkëpunojnë me institucionet dhe të raportojnë dëmet.