Dogana e Kosovës zbulon mbi 13 mijë euro në një “Skoda SuperB” me targa të RMV-së

Dogana e Kosovës ka zbuluar mjete monetare të padeklaruara në vlerë prej 13.353.98 eurosh në Pikën e Kalimit Kufitar në Han të Elezit, njofton Portalb.mk.

Sipas Doganës, rasti është zbuluar dje, kur zyrtarët e Sektorit Antikontrabandë kanë përzgjedhur për kontroll një automjet të tipit “Shkoda Superb”, me targa të Maqedonisë së Veriut, i drejtuar nga një shtetas i këtij vendi.

Drejtuesi i automjetit, i pyetur nëse kishte diçka për të deklaruar, është përgjigjur se nuk kishte asgjë.

Gjatë kontrollit të detajuar në vijën e dytë, zyrtarët doganorë kanë zbuluar 11.980 euro dhe 84.500 denarë maqedonas, të cilat, sipas Doganës, ishin të fshehura dhe nuk ishin deklaruar.

Vlera e përgjithshme e mjeteve monetare të padeklaruara, pas konvertimit në euro, është 13.353.98 euro. Paratë janë konfiskuar

Dogana e Kosovës rikujton se çdo person që hyn ose del nga Kosova dhe bart mjete monetare në vlerë prej 10,000 eurosh apo më shumë, ose kundërvlerën në valuta të tjera, duhet t’i deklarojë ato pranë Doganës.

 

KosovaPolicia e Kosovës