Vazhdon Festivali Ndërkombëtar i Teatrit në Tetovë: Mbrëmë u prezantua “Big Baby” nga Tirana, sonte vjen Teatri i Preshevës

Në natën e tretë të Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit në Tetovë, mbrëmë para publikut u paraqit Teatri Kombëtar Eksperimental i Tiranës me shfaqjen “Big Baby”, shkruan Portalb.mk.

Liz, një grua në të 40-tat, bën një jetë si gjithë të tjerët, derisa, një ditë, i shfaqet në derë Aleksi, një djalë 26-vjeç, i cili pretendon se është i biri. Mirëpo ajo nuk ka asnjë djalë. Ose më saktë, e ka patur një para 26 vitesh, të cilin ka dashur ta quaj Aleks, por e ka abortuar.

Ngjarjet ngatërrohen edhe më shumë kur Aleksi bie në dashuri me Deizin, fqinjën e Lizit, e cila këmbëngul se është shoqe e ngushtë me N.Kidman dhe S.Spielberg. Përmes humorit të komedisë së zezë, dialogut emocional dhe psikologjik, “Big Baby” e Frank Moher na fton të shohim tre individë të parritur emocionalisht dhe me nevojën për të patur dikë pranë. Një tekst inteligjent dhe i hidhur, ku humori dhe trishtimi ecin paralelisht.

Foto nga shfaqja “Big Baby” nga Teatri Kombëtar Eksperimental i Tiranës. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Me këtë produksion, festivali vazhdoi programin e tij artistik që gjatë këtyre ditëve po sjell në Tetovë trupa dhe shfaqje teatrore nga vendi dhe rajoni.

Foto nga shfaqja “Big Baby” nga Teatri Kombëtar Eksperimental i Tiranës. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Programi vazhdon sonte me shfaqjen “Vetmi në Perëndim” nën regji të Afeida Boriçit nga Teatri i Qytetit të Preshevës.

Drama zhvillohet në një fshat të vogël në Llenan, në perëndim të Irlandës. Qendra e ngjarjes është marrëdhënia e trazuar mes dy vëllezërve, Colman dhe Vallin, të cilët sapo kanë humbur babanë e tyre. Në vend që humbja t’i afrojë, ata përfshihen në grindje të pafundme për trashëgiminë, kufijtë e shtëpisë dhe çdo detaj të jetës së përbashkët.

Një prift i ri, Roderik Walsh, përpiqet me dëshpërim t’i pajtojë, ndërsa edhe ai vetë është i zhytur në krizë personale dhe ndjen faj për vetëvrasjet dhe vrasjet që ndodhin në atë fshat.

Kjo dramë është njohur për dialogun e mprehtë, humorin e errët dhe mënyrën se si flet për plagët shoqërore përmes një historie intime familjare.

Foto nga shfaqja “Vetmi në Perëndim” nga Teatri i Qytetit të Preshevës. Foto: Teatri i Tetovës (Facebook)

Nesër, më 5 tetor, para publikut tetovar do të paraqitet Teatri Kombëtar i Kosovës me shfaqjen “Litari”.

Festivali do të përmbyllet më 6 tetor me shfaqjen “Zotëriu i parë” të Teatrit Shqiptar të Shkupit.

Të gjitha shfaqjet mbahen në Pallatin e Kulturës në Tetovë, me fillim nga ora 20:00.

Festivali Ndërkombëtar i Teatrit në Tetovë synon të sjellë para publikut krijimtarinë teatrore nga hapësira shqiptare dhe rajoni, si dhe të krijojë një hapësirë takimi e shkëmbimi mes artistëve, regjisorëve dhe aktorëve pjesëmarrës.

Festival i teatritKultura shqiptareKulturë lajmeTeatër shfaqje teatroreTeatri i Tetovës