Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) i ka dërguar një shkresë partisë politike Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë (LSDM), lidhur me postimin e tyre publik në rrjetet sociale me titull “Fërljo – linja e fundit e mbrojtjes së VMRO-së!”, në të cilin një gazetar është vënë në shënjestër në mënyrë fyese, nënçmuese dhe degraduese, transmeton Portalb.mk.
SHGM shprehu shqetësim serioz se ky lloj komunikimi nga ana e partive politike është i papranueshëm në një shoqëri demokratike, minon besimin në media dhe krijon një atmosferë stigmatizimi dhe presioni ndaj profesionit të gazetarisë. Veçanërisht problematike është kur këto publikime vijnë nga parti me ndikim të madh në hapësirën publike, pasi mund të nxisin sulme online, gjuhë urrejtjeje dhe një mjedis të pasigurt për gazetarët.
“Në shkresë, SHGM rikujton se çdo vërejtje eventuale ndaj punës së gazetarëve duhet të shprehet përmes mekanizmave ekzistues të vetërregullimit, siç janë Këshilli i Etikës në Media dhe Këshilli i Nderit pranë SHGM-së, e jo përmes diskreditimeve publike. Po ashtu, LSDM-së i është tërhequr vëmendja edhe për detyrimin, sipas statutit të vet, për respektim të plotë të dinjitetit njerëzor, të drejtave dhe lirive”, thonë nga SHGM.
SHGM u bën apel partive politike që betejat dhe përplasjet e tyre politike t’i zhvillojnë mes vete, e jo në kurriz të gazetarëve. Gjithashtu, kërkohet të tregohet përgjegjësi në komunikimin publik, të përmbahen nga fyerjet dhe nënçmimet dhe të respektohet integriteti i gazetarëve dhe punonjësve mediatikë, si parakusht për një hapësirë publike të lirë, pluraliste dhe demokratike.