Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) shprehu shqetësim serioz për shkak të kërcënimeve të drejtpërdrejta për jetën, thirrjeve për dhunë dhe ofendimeve me bazë etnike të drejtuara ndaj gazetarit dhe kolumnistit Erol Rizaov, përmes komenteve në një postim në faqen e tij zyrtare në Facebook, i cili çon te kolumna e tij për Nezavisen me titullin “Ndërsa vdes shpresa për një të nesërme më të bukur“, transmeton Portalb.mk.
SHGM kërkoi nga Ministria e Punëve të Brendshme që ta shqyrtojë në detaje rastin, pasi disa prej komenteve përmbajnë thirrje eksplicite për eliminimin fizik dhe vdekjen e tij.
„Presim që MPB-ja urgjentisht të sigurojë dhe ruajë provat elektronike, të përcaktojë identitetet e personave që qëndrojnë pas profileve dhe të vlerësojë nëse në rastin konkret ekzistojnë elemente të veprave penale që lidhen me kërcënime, nxitje ose thirrje për dhunë dhe gjuhë të urrejtjes. Kërkojmë që, nëse konstatohen elemente të tilla, rasti pa vonesë t’i dorëzohet prokurorisë publike kompetente“, thuhet në njoftimin e SHGM-së.
Nga shoqata apelojnë që kërcënimet ndaj gazetarëve për shkak të punës së tyre të mos injorohen, pasi ato përbëjnë goditje serioze ndaj lirisë së shprehjes. Ata theksojnë se është jashtëzakonisht e rëndësishme që në situata të tilla institucionet të reagojnë me kohë dhe të parandalojnë që kërcënimet të shndërrohen në dhunë.