Shuma ditore e vaktit të subvencionuar për studentët duhet të jetë së paku 172 denarë, e llogaritur në bazë të inflacionit, vlerësojnë nga organizata studentore “Studentaria”, transmeton Portalb.mk.
Në një reagim të publikuar në rrjetet sociale, “Studentaria” kundërshton paralajmërimet për vendosjen e një modeli të ri për ushqimin e studentëve.
Nga organizata thonë se mbetet e paqartë se kush ka shprehur mbështetje për modelin e ri në emër të studentëve dhe në bazë të çfarë konsultimesh është marrë kjo mbështetje.
“Mbetet e paqartë se kush ka shprehur mbështetje për modelin e ri në emër të studentëve, në bazë të çfarë konsultimesh dhe çfarë do t’u ofrojë në thelb ky model, duke pasur parasysh se shumë zbritje për studentët janë të disponueshme edhe tani”, thuhet në reagim.
Sipas rezultateve të një ankete të realizuar nga “Studentaria”, prioritet i studentëve është rritja e shumës së subvencionit.
“Pse harmonizimi i shumës duhet të presë deri në hartimin e një modeli të ri? Çfarë i pengon autoritetet t’i realizojnë këto dy procese në mënyrë të pavarur nga njëri-tjetri?”, pyesin nga organizata.
Nga “Studentaria” paralajmërojnë se për çdo ditë që kalon pa u harmonizuar shuma e vaktit të subvencionuar për studentët me inflacionin, studentët pësojnë dëme financiare.
Ndërkohë, kryeministri Hristijan Mickoski, sot, duke iu përgjigjur pyetjes gazetareske lidhur me aktivitetin e sotëm me MASH-in dhe nëse ka zgjidhje për shujtën studentore, deklaroi:
“Zgjidhja është e qartë, zgjidhja është në tryezë. Tani po shqyrtojmë se si ta bëjmë atë funksionale, së bashku me Sekretariatin e Përgjithshëm, Ministrinë e Transformimit Digjital dhe natyrisht, Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës. Mendoj se jemi në rrugë të mbarë dhe ajo që do të krijojmë këtë herë është vërtet diçka inovative. Diçka që do t’i ndihmojë studentët të fitojnë më shumë të drejta në krahasim me ato që i kanë sot, si dhe privilegje më të mëdha, shumë më të mëdha se ato që i kanë sot. Prandaj, kur ta kemi produktin përfundimtar, gjë që pritet të ndodhë shumë shpejtë nga dita e sotme, do t’i ftojmë studentët dhe mediat, që të gjitha këto t’ia prezantojmë opinionit”.
Ndërkohë, ministrja Vesna Janevska vlerësoi se shujta duhet të rritet me 11 përqind. Sipas saj, bazuar në rritjen e inflacionit, llogariti që vlera e shujtës studentore duht të jetë 156 denarë, apo 16 denarë më shumë se shuma aktuale.
“Do të veprojmë siç vendos Gjykata”, tha Janevska, në momentin kur në Gjykatën Administrative janë ngritur tre padi në lidhje me këtë çështje.
Shuma për ushqimin e nxënësve tani u paguhet nxënësve në baza javore, të cilët marrin rreth 700 denarë. Megjithatë, Qeveria po përgatit një mënyrë të re të përdorimit të vaktit, në vend të kartave të debitit, përmes aplikacionit të ri shtetëror “M-services”. Janevska foli dje për mënyrën e re të përdorimit të vaktit me Adam Stojanovskin, presidentin e ri të Asamblesë Studentore Universitare në UKM.
Përfaqësuesit e studentëve kanë kërkuar kohë për t’u konsultuar me asambletë e fakulteteve. Ministrja ka paralajmëruar edhe një takim me përfaqësues të universiteteve të tjera, nga të cilët ka kërkuar të shprehin mendimin e saj me shkrim mbi propozimin.