Serbia shtrembëron qëllimin e partneriteteve që nuk e përfshijnë atë

Çdo përpjekje për bashkëpunim mes vendeve të rajonit shpesh shoqërohet me kundërshtime nga Serbia, e cila e shtrembëron qëllimin e iniciativave duke i paraqitur si kërcënime ndaj interesave të saj. Një shembull i fundit është reagimi i ashpër ndaj marrëveshjes ushtarake mes Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë. Narrativa e Serbisë është pjesë e përpjekjeve për ta dominuar rajonin, derisa vetë ajo ka ndërtuar lidhje të ngushta ushtarake edhe me aktorë jo demokratikë, si Rusia dhe Kina, shkruan Sbunker.

Ministrat e Mbrojtjes së Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë nënshkruan më 18 mars në Tiranë një Deklaratë trepalëshe për aleancë ushtarake.

Kjo marrëveshje synon forcimin e bashkëpunimit në ngritjen e kapaciteteve të mbrojtjes dhe industrisë së mbrojtjes, rritjen e ndërveprueshmërisë përmes edukimit, trajnimit dhe ushtrimeve, kundërveprimin ndaj kërcënimeve hibride dhe forcimin e qëndrueshmërisë strategjike.

Gjithashtu, ajo ofron mbështetje të plotë për integrimin euro-atlantik dhe atë të mbrojtjes rajonale.

Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci, theksoi se kjo aleancë nuk përbën kërcënim për askënd, por është një mesazh për ata që synojnë të destabilizojnë rajonin, duke treguar se vendet janë të bashkuara dhe të vendosura për të ruajtur stabilitetin.

“Për këtë, Shqipëria, Kroacia dhe Kosova, do të angazhohen për forcimin e lidhjeve mes tyre, rritjen e ndërveprueshmërisë mes ushtrive të tri shteteve tona përmes edukimit, trajnimeve dhe stërvitjeve të përbashkëta; rritjen e angazhimit për t’i luftuar kërcënimet hibride dhe për tu mbrojtur prej tyre; bashkërendimin e politikave për integrime euroatlantike dhe me theks të veçantë ndihmën e nevojshme ndaj Kosovës për tu integruar në nisma rajonale të mbrojtjes dhe të sigurisë”, tha Maqedonci.

Me Deklaratë ofrohet mundësia që edhe vendet e tjera t’u bashkohen teksa është njoftuar se ftesë ka marrë Bullgaria.

Narrativa e Serbisë për aleancën 

Në Serbi, kjo marrëveshje u prit me shqetësim dhe u portretizua si një kërcënim potencial për sigurinë kombëtare. Mediat si Sputnik Srbija, që transmetuan edhe qëndrimin zyrtar të Beogradit e cilësuan aleancën si një ”pakt” mes Kroacisë, Shqipërisë dhe Kosovës kundër interesave serbe. Ministria e Punëve të Jashtme e Serbisë njoftoi se do t’u dërgojë një kërkesë urgjente Ministrive të Punëve të Jashtme të Kroacisë dhe Shqipërisë për një shpjegim të detajuar në lidhje me nënshkrimin e memorandumit trepalësh për bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes, me të cilin këto dy vende, sipas MPJ të Serbisë, e bënë palë “përfaqësuesin jolegjitim të Institucioneve të Përkohshme të Vetëqeverisjes” në Prishtinë.

“Është veçanërisht shqetësues fakti që kjo aleancë ushtarake po formohet pa konsultime me Beogradin, me përfshirjen e drejtpërdrejtë të një strukture që nuk ka legjitimitet ndërkombëtar dhe që paraqet kërcënim për sigurinë për popullin serb dhe gjithë rajonin”, thuhet në deklaratë.

Kjo retorikë synon të krijojë një perceptim të rrezikut dhe të legjitimojë kundërshtimin e Serbisë ndaj aleancës mes tri shteteve të Ballkanit. Zyrtarët serbë dhe disa medie shpesh përdorin termin “e ashtuquajtura Kosovë” për të mos njohur pavarësinë e Kosovës dhe për të minuar legjitimitetin e institucioneve të saj.

Serbia e konsideron këtë aleancë si një sfidë ndaj interesave të saj strategjike në rajon. Fakti që Kosova, të cilën Serbia ende nuk e njeh si shtet të pavarur, është pjesë e kësaj aleance, shihet si një përpjekje për të forcuar pozicionin e Kosovës në skenën ndërkombëtare dhe për të minuar ndikimin serb në Ballkan.

Bashkëpunimi ushtarak mes tri vendeve perceptohet nga Serbia si një hap drejt integrimit më të ngushtë, gjë që mund të ndryshojë balancën e fuqisë në rajon.

Argumente kundër narrativës serbe

Narrativa serbe se kjo aleancë përbën një kërcënim për sigurinë e Serbisë është e paqëndrueshme për disa arsye. Së pari, natyra e deklaratës është mbrojtëse, ku thekson se synimi i bashkëpunimit nuk është kërcënim për askënd, por një mesazh për ata që synojnë të destabilizojnë rajonin. Kjo tregon se aleanca ka një karakter mbrojtës dhe synon ruajtjen e paqes dhe stabilitetit.

Aleanca po ashtu promovon integrimin euro-atlantik, duke u harmonizuar me politikat e NATO-s dhe Bashkimit Evropian për stabilitetin dhe sigurinë në Ballkanin Perëndimor. Marrëveshje të ngjashme janë nënshkruar edhe në rajone të tjera, ku vendet fqinje bashkëpunojnë për të forcuar kapacitetet e tyre mbrojtëse pa u konsideruar kërcënim për palët e treta.

Një tjetër argument kundër pretendimit të Serbisë se Kosova nuk mund të hyjë në marrëveshje të tilla ushtarake, është fakti që Shqipëria dhe Kroacia janë anëtare të NATO-s. Kjo ka disa implikime të rëndësishme që rrëzojnë pretendimet për paligjshmëri apo kërcënim ndaj Serbisë. Shqipëria dhe Kroacia, si anëtare të Aleancës veri-atlantike, veprojnë brenda kornizës së politikave të NATO-s, e cila promovon sigurinë rajonale, mbrojtjen kolektive dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor. Kjo nënkupton se çdo bashkëpunim ushtarak me Kosovën është në përputhje me standardet dhe rregullat e NATO-s, duke pasur parasysh se Shqipëria dhe Kroacia si anëtare nuk mund të nënshkruajnë marrëveshje që do të përbënin kërcënim për ndonjë palë.

Në fakt, NATO ka qenë për dekada garantuesi kryesor i sigurisë në rajon ku prej vitit 1999 e ka forcën e saj në Kosovë, e njohur si KFOR. Edhe pse Kosova nuk është anëtare e NATO-s, ajo angazhohet drejt integrimit përmes mbështetjes dhe trajnimeve nga vendet e NATO-s, si SHBA-ja, Mbretëria e Bashkuar dhe Turqia.

Edhe pse Serbia e ka bërë të qartë se nuk anëtarësohet në NATO, ajo ka ndëveprim me këtë aleancë në kuadër të Programit të Partneritetit për Paqe, duke marrë pjesë në trajnime dhe aktivitete të përbashkëta.

Nëse Serbia nuk e konsideron NATO-n një kërcënim për sigurinë e saj, rrjedhimisht nuk ka arsye logjike ta konsiderojë si kërcënim një marrëveshje ushtarake mes tre vendeve të Ballkanit Perëndimor, dy prej të cilave janë pjesë e NATO-s.

Ndërkohë që Serbia pretendon se marrëveshja mes Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë përbën kërcënim për sigurinë rajonale, ajo vetë ka ndërtuar bashkëpunim të ngushtë ushtarak me Rusinë dhe Kinën, dy aktorë që konsiderohen sfidues të demokracisë dhe rendit ndërkombëtar. Serbia ka blerë armë nga Rusia përfshirë sisteme të avancuara raketore dhe pajisje të tjera ushtarake, si dhe ka zhvilluar stërvitje të përbashkëta me forcat ruse. Po ashtu, Serbia ka forcuar bashkëpunimin e saj me Kinën në fushën e mbrojtjes, duke përfituar nga teknologjia e mbikëqyrjes dhe dronët e avancuar kinezë.

Marrëveshje të ngjashme 

Në skenën ndërkombëtare, ekzistojnë shembuj të vendeve që kanë nënshkruar marrëveshje të ngjashme për të forcuar bashkëpunimin ushtarak.

Grupi i Vishegradit ku bënë pjesë Hungaria, Polonia, Republika Çeke dhe Sllovakia kanë krijuar një aleancë për të forcuar bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes dhe për të rritur ndërveprueshmërinë e forcave të tyre të armatosura.

Në fushën e mbrojtjes është i njohur edhe bashkëpunimi Nordik. Danimarka, Finlanda, Islanda, Norvegjia dhe Suedia kanë një marrëveshje për bashkëpunim të ngushtë në çështjet e mbrojtjes, duke përfshirë stërvitjet e përbashkëta dhe shkëmbimin e informacionit.

Bashkëpunimi ushtarak rajonal është një praktikë e zakonshme dhe e pranuar ndërkombëtarisht për të rritur sigurinë kolektive dhe për të promovuar stabilitetin.

DisinfohubSbunkerSerbia