Tragjedia e shqiptarëve të vrarë përdoret në përplasjet politike në Serbi

Shtatë ditë para zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Serbi, të planifikuara për 25 tetor, një publikim i avokatit Çedomir Kokanoviq ka nxitur reagime të shumta, pasi në një fotografi të modifikuar të një kamioni frigoriferik janë vendosur fytyrat e liderëve të listës opozitare “Serbia Evropiane”, Dragan Gjilas, Marinika Tepiq dhe Goran Jeshiq, raporton RTK.

Kokanoviq, mbështetës i listës studentore “Studentët fitojnë”, e shoqëroi fotografinë në rrjetin social X me një mesazh fyes ndaj kundërshtarëve politikë, duke bërë thirrje që lista “Serbia Evropiane” të mos arrijë as 0.9 për qind të votave.

Publikimi ka shkaktuar reagime për shkak të lidhjes që fotografia krijon me rastin e kamionit frigoriferik të nxjerrë nga lumi Danub në vitin 1999, në të cilin ishin gjetur trupat e civilëve shqiptarë të vrarë në Kosovë. Trupat ishin transportuar fshehurazi në Serbi, në kuadër të përpjekjeve për të fshehur gjurmët e krimeve të luftës.

Liderja opozitare Marinika Tepiq reagoi duke pyetur Kokanoviqin se përse po i kërcënonte me vdekje dhe po i paraqiste si kufoma në një kamion frigoriferik. Edhe profesori i Universitetit të Beogradit, Ivan Videnoviq, kërkoi reagimin e prokurorisë, duke e interpretuar publikimin si një aludim për fundosjen e trupave të shqiptarëve të vrarë në vitin 1999.

Kokanoviq u përgjigj se bëhej fjalë për një shaka dhe se me fjalën “fundosje” kishte nënkuptuar rezultatin e dobët që, sipas tij, lista opozitare do të merrte në zgjedhjet e 25 tetorit.

Për rastin reagoi edhe televizioni KTV nga Zrenjanini, i cili njoftoi ndërprerjen e bashkëpunimit me Kokanoviqin dhe pezullimin e emisionit “Mbrojtësit e Kushtetutës”, ku ai ishte një nga autorët. Redaksia vlerësoi se fotografia dhe mesazhi shoqërues krijojnë një asociacion shqetësues me kamionët frigoriferikë që u përdorën për fshehjen e trupave të shqiptarëve të vrarë në Kosovë.

Avokati i Beogradit, Çedomir Stojkoviq, e dënoi gjithashtu publikimin, duke theksuar se fotografia e kamionit frigoriferik duhet të jetë simbol i turpit dhe pendimit për krimet e kryera, e jo mjet për sulme ndaj kundërshtarëve politikë.

Rasti ka nxjerrë në pah përçarjet brenda opozitës serbe, e cila është e ndarë lidhur me pjesëmarrjen e listës “Serbia Evropiane” në zgjedhje. Kritikët e saj pretendojnë se pjesëmarrja e veçantë mund t’i ndajë votat kundër pushtetit, ndërsa drejtuesit e listës thonë se thirrjet për tërheqje cenojnë pluralizmin politik.

Në analizën e saj, bashkëpunëtorja e RTK-së, Tamara Nikçeviq, thekson se përdorimi i tragjedisë së viktimave shqiptare të vitit 1999 në luftën politike ka kaluar kufijtë e pranueshëm, ndërsa reagimet publike dhe vendimi i KTV-së dëshmojnë se një pjesë e shoqërisë serbe nuk pranon që viktimat e krimeve të luftës të përdoren si armë kundër kundërshtarëve politikë.

Aleksandar Vuciq VuçiçBeogradiDialog Kosovë - SerbiKosovaKrime lufteLufta në KosovëSerbia