Receta ballkanike e pushtetit jetëgjatë

Gurë e blloqe betoni të hedhura drejt institucioneve, ndërtesa të përfshira nga flakët dhe përplasje me policinë shënuan protestat e ditëve të fundit në Tiranë, raporton Radio Evropa e Lirë. Ajo që nisi si pakënaqësi për kushtet në universitete, kostot e studimit dhe perspektivën e punësimit, mobilizoi edhe qytetarë që kundërshtojnë pabarazinë ekonomike dhe Qeverinë e Edi Ramës.

“Kështu nuk shtyhet, sepse ka njerëz që janë bërë miliarderë, e super-miliarderë, ndërsa ka të tjerë shumë të varfër. Unë nuk mund të pajtohem me padrejtësinë, me Qeverinë që është shumë arrogante dhe shumë e korruptuar”, tha protestuesja Luljeta Kola për agjencinë e lajmeve Reuters.

Pakënaqësia me Qeverinë e Edi Ramës, në pushtet që nga viti 2013, nisi të merrte përmasa më të gjera qysh në fund të majit, kur kundërshtimi i një projekti turistik pranë zonës së mbrojtur të Zvërnecit nxiti atë që u quajt “Revolucioni i Flamingove”.

Kërkesave fillestare iu shtuan ato kundër korrupsionit dhe për dorëheqjen e kryeministrit.

Por, deri tani, pozita e tij politike mbetet e pandryshuar.

Vetëm disa orë pas përplasjeve të 13 tetorit në Tiranë, Rama publikoi në rrjetet sociale një video nga takimet e tij në Bruksel, ku zyrtarë të Bashkimit Evropian vlerësuan përparimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit.

Të nesërmen, ai vizitoi zyrën e Kolegjit të Evropës në Tiranë, të dëmtuar gjatë protestave, dhe fajësoi opozitën për dhunën.

“Sot, kjo është rrënoja e duarve që nuk janë dhe nuk mund të jenë kurrë duart e studentëve”, deklaroi Rama, duke thënë se studentët përfaqësojnë të ardhmen e vendit.

Në Serbi, ndërkohë, pakënaqësia me pushtetin ka marrë përmasa edhe më të gjera.

Protestat e udhëhequra nga studentët, të nisura pas tragjedisë në Stacionin Hekurudhor të Novi Sadit, vazhdojnë prej gati dy vjetësh.

Ato kanë mobilizuar mijëra qytetarë dhe kanë ushtruar presion të vazhdueshëm ndaj pushtetit të partisë së Aleksandar Vuçiqit.

Tani, studentët po e zhvendosin sfidën edhe në arenën zgjedhore, përmes listës së tyre për votimet e 25 tetorit.

“Serbia jonë ndodhet sot në udhëkryq. Njëra rrugë na çon drejt një Serbie të drejtë, tjetra drejt mafies”, tha studenti Mateja Nikolliq në Beograd, më 10 tetor.

Vuçiq, i cili ka dominuar politikën serbe për më shumë se 14 vjet, i ka sfiduar vazhdimisht kundërshtarët e tij, duke pretenduar se ata nuk kanë njohuri për drejtimin e shtetit.

Pavarësisht dallimeve mes lëvizjeve protestuese në Shqipëri dhe Serbi, korrupsioni është një nga shqetësimet që i bashkon.

Në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2025, të organizatës Transparency International, Shqipëria ka marrë 39 pikë nga 100, ndërsa Serbia 33 – të dyja nën mesataren globale prej 42 pikësh.

Por, mobilizimi kundër korrupsionit nuk është domosdoshmërisht i mjaftueshëm për të prodhuar ndryshim politik.

Nga protesta tek alternativa politike

Elton Skendaj, profesor i Shkencave Politike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin Georgetown, thotë se një nga sfidat kryesore të lëvizjeve protestuese është raporti i tyre me politikën e organizuar.

Ai kujton përvojën e Serbisë në vitin 2000, kur lëvizja studentore “Otpor” ndihmoi në bashkimin e opozitës dhe mbikëqyrjen e zgjedhjeve që çuan në rrëzimin e Sllobodan Millosheviqit.

Sipas tij, përsëritja e një skenari të tillë sot përballet me pengesa të tjera.

“Të rinjtë, për arsye të kuptueshme, janë thellësisht të zhgënjyer me shumë prej udhëheqësve politikë. Ndonjëherë, e shohin edhe opozitën si pjesë të problemit, ose mendojnë se ajo është vënë nën ndikimin e pushtetit”, thotë Skendaj për programin Expose të Radios Evropa e Lirë.

Ky mosbesim, sipas tij, ua vështirëson lëvizjeve përcaktimin e një strategjie për ta vazhduar angazhimin përtej protestave.

Megjithatë, aftësia për t’u organizuar është vetëm njëra anë e çështjes.

Mundësitë për ta sfiduar pushtetin varen edhe nga kushtet në të cilat zhvillohet gara politike.

Dhe, në disa vende të Ballkanit Perëndimor, këto kushte nuk janë të barabarta.

Kur pushteti hyn në garë me avantazh

Në Serbi, vëzhguesit ndërkombëtarë kanë dokumentuar prej vitesh avantazhet e partisë në pushtet, përfshirë përdorimin e burimeve shtetërore, presionin ndaj punonjësve publikë dhe mbulimin e njëanshëm mediatik.

Në raportin për zgjedhjet parlamentare të vitit 2023, Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) konstatoi se praktika të tilla kishin krijuar kushte të pabarabarta për konkurrencë.

Politologu Jasmin Mujanoviq dyshon se mbështetja që studentët serbë kanë siguruar përmes protestave, do të mund të përkthehet në fitore zgjedhore.

Ai e lidh këtë jo vetëm me kushtet e konkurrencës politike, por edhe me atë që e konsideron tolerancë të Bashkimit Evropian ndaj Vuçiqit.

“Mendoj se, nëse zgjedhjet do të ishin të lira dhe të ndershme, studentët do të kishin mundësi reale për sukses. Por, fatkeqësisht, nuk pres të jetë kështu”, thotë Mujanoviq për Exposenë.

Ai parashikon manipulime zgjedhore që, sipas tij, do t’i mundësonin Partisë Përparimtare Serbe të mbetej në pushtet dhe do ta thellonin përçarjen në shoqëri.

Probleme me barazinë e garës zgjedhore janë dokumentuar edhe në Shqipëri.

Partia Socialiste e Ramës fitoi një tjetër mandat qeverisës në vitin 2025.

Vëzhguesit e OSBE-së i vlerësuan zgjedhjet si konkurruese dhe të administruara profesionalisht, por konstatuan se subjektet politike nuk garuan në kushte të barabarta.

Sipas raportit të tyre, partia në pushtet përfitoi nga përdorimi i burimeve shtetërore, ndërsa u raportuan presione ndaj votuesve dhe probleme me pavarësinë e mediave.

Këto gjetje, megjithatë, nuk e përjashtojnë mbështetjen reale që partitë qeverisëse mund të gëzojnë mes votuesve. Por, tregojnë se popullariteti dhe aftësia e opozitës për të bindur qytetarët nuk janë faktorët e vetëm që ndikojnë në garën politike.

Për më tepër, avantazhet e pushtetit mund të shtrihen edhe përtej zgjedhjeve.

Solveig Richter, profesoreshë e Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe Politikave Transnacionale në Universitetin e Lajpcihut, thotë se në disa vende të rajonit, partitë qeverisëse kanë zgjeruar ndikimin mbi institucionet që duhet t’i kontrollojnë ato.

“Nuk ka më mekanizma të kontrollit dhe balancimit të pushtetit. Procedurat e emërimit janë zyrtare, por kontrollohen nga partitë politike”, thotë Richter për Exposenë.

Sipas saj, partitë kanë ndryshuar edhe rregullat për emërimin e gjyqtarëve apo funksionimin e mediave, duke zgjeruar kontrollin mbi institucione që duhet të jenë të pavarura.

Ballkani PerëndimorProtestaSamiti BE-Ballkani PerëndimorShengen Ballkanik – Ballkani i Hapur