Një person humbi jetën gjatë protestave të së shtunës në Paris, si pasojë e arrestit kardiorespirator, raporton France 24.Autoritetet theksojnë se vdekja nuk kishte lidhje me veprimet e policisë apo me përplasjet gjatë demonstratave, raporton Klan.
Gjatë protestave, policia arrestoi 855 persona në kryeqytetin francez, një shifër rekord sipas prefekturës së policisë së Parisit.
Prokuroria bëri të ditur se 517 persona vijojnë të mbahen në paraburgim. Prej tyre, 346 janë të rritur dhe 171 të mitur.
Autoritetet sqarojnë se shifrat janë paraprake dhe mund të ndryshojnë.
Sipas prokurorisë, shumica e arrestimeve lidhen me dyshime për përfshirje në vjedhje dhe mbajtje të sendeve të vjedhura, bashkëpunim me qëllim kryerjen e akteve të dhunshme dhe vandalizëm.
Gjatë së shtunës, dhjetëra mijëra persona marshuan në zonat lindore dhe veriore të Parisit. Mes protestuesve u dëgjuan thirrje kundër policisë dhe slogane që kërkonin dorëheqjen e presidentit francez Emmanuel Macron.
Kryebashkiaku i Parisit, Emmanuel Grégoire, deklaroi se shumica dërrmuese e demonstruesve dëshironin të protestonin në mënyrë paqësore, por dënoi aktet e vandalizmit që, sipas tij, dëmtuan qëllimin e protestës.
Ndërkohë, përpara nisjes së marshimit të autorizuar në sheshin Place de la République, policia përdori gaz lotsjellës dhe ndërhyri për të shpërndarë turmat.