Zëvendëspresidenti amerikan JD Vance fajësoi të shtunën emigracionin për dhunën gjatë protestave në Francë, ndërsa ndau një video që tregonte bashkinë në Limoges në flakë, raporton Klan.
“Liberalët perëndimorë importuan botën e tretë në Francë dhe vende të tjera në emër të diversitetit dhe dhembshurisë. Ata injoruan çështjet themelore të asimilimit dhe përpuethshmërisë. Atyre iu tha se kjo do të çonte në këtë dhe ata nuk dëgjuan. Lutem që Franca, një vend i bukur me njerëz të mrekullueshëm, ta ndalojë këtë çmenduri përpara se të digjen më shumë nga monumentet e saj”, tha JD Vance.
Qeveria franceze po përpiqet të mbajë nën kontroll situatën, ndërkohë që kryeministri Sébastien Lecornu pritet të mbajë një takim ndërministror për krizën në orën 19:00, duke thënë se takimi do të përqendrohet në “ekonominë dhe tregtinë”, “sigurimet” dhe “procedurat ligjore” pas vandalizmit dhe plaçkitjeve të përhapura që shpërthyen në margjinat e demonstratave të së shtunës.
Zyra e kryeministrit njoftoi gjithashtu se Lecornu do të takohet me kryetarët e bashkive të Parisit, Marsejës dhe Lionit në një datë që ende nuk është përcaktuar.