Sellca në pritje të shkollës së re: Komuna optimiste, drejtori skeptik për afatet (Video)

Ndonëse nga Komuna e Tetovës u paralajmërua se objekti i ri i shkollës fillore në fshatin Sellcë do të jetë gati për vitin e ardhshëm shkollor 2026/27, drejtori i shkollës shfaqet skeptik se objekti do të përfundojë në këtë afat, shkruan Portalb.mk.

Sipas planifikimeve nga Komuna e Tetovës shkolla pritet të jetë gati për vitin e ardhshëm shkollor.

Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami tha se sipas informatave që i kanë nga operatori punët shkojnë në bazë të dinamikës së paraparë.

“Kërkesa jonë është që brenda këtij viti të përmbyllen gjitha punët ndërtimore”, tha Kasami.


Megjithatë, drejtori i shkollës së fshatit Sellcë, Muhamer Asani tha se ata nuk kanë qasje në tenderim, por tha se në bazë të dinamikës që shohin, nuk pret të vitin e ardhshëm të fillojnë në objektin e ri.

“Shihet se punohet por edhe pse na u premtua nga një vizitë e kryetarit të komunës në qershor se për sivjet në 2026 do të mund të futemi në objektin e ri. Në bazë të dinamikës së punës nuk besoj se do ta arrijmë, për shkak se faza e dytë ku përfshihet fasadimi, fushat sportive një mur mbajtës akoma, nuk ka tenderim më duket”, tha Asani.


Nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës nuk u përgjigjën në pyetjet gazetareske të Portalb.mk për këtë çështje.

Ndërtimi i Shkollës në Sellcë u votua në seancën qeveritare me 26 shtator 2023 ndërsa gur-themeli u hodh më 12 shkurt 2024 pas shumë zvarritjeve dhe shkeljeve të afateve. Ky objekt pritet të kushtojë rreth 100 milionë denarë. 

Banorët e Sellcës, objektin e ri të shkollës e presin me vite të tëra pasi nxënësit mësimin e ndjekin në kushte të vështira dhe në dy objekte, njëri është një barakë e ndërtuar rreth viteve të 60-ta ndërsa tjetri u fillua në vitin 2000, mirëpo objekti mbeti vetëm një konstruksion. 

Bilall KasamiFshati SellcëKomuna e TetovësMinistria e Arsimit dhe Shkencës (MASH)Portalb Fakt - Premtime parazgjedhoreShkolla e fshatit SellcëVideo Lajme