20 vjet në pritje të shkollës së Sellcës, vetëm para dy ditëve u miratua ndërtimi i objektit të ri

Banorët e fshatit Sellcë të Tetovës me vite të tëra presin objektin e ri të shkollës, pasi ato ekzistuese ku nxënësit ndjekin mësimin janë në kushte shumë të këqija. Pavarësisht premtimeve të shumta të autoriteteve ndër vite, rezultat në teren nuk ka. Vetëm para dy ditëve Qeveria miratoi propozimin për ndërtimin e objektit të ri të kësaj shkolle. Ndërkaq nga Komuna e Tetovës shpresojnë që ky premtim të mos ngelë vetëm fjalë, shkruan Portalb.mk.

Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri më 26 shtator 2023 njoftoi se në seancë qeveritare u votua pro propozimit të tij për ndërtimin e një objekti të ri në SHFK “Rilindja” në fshatin Sellcë në Tetovë.

“U siguruan rreth 750.000 euro për ndërtimin e shkollës dhe nxënësit e saj së shpejti do të mësojnë në shkollë të re. Së shpejti e zgjedhim operatorin ekonomik dhe gjithçka fillon të bëhet realitet”, njoftoi Shaqiri pa mos dhënë detaje se kur konkretisht kjo do të realizohet.

E për këtë nuk mbetën pa u lavdëruar në rrjetet sociale as zëvendës ministri i Arsimit, Agim Nuhiu dhe as zëvendëskryeministri, Artan Grubi.

Ndërkaq nga Komuna e Tetovës thanë se është një akt për tu përshëndetur mirëpo shpresojnë që i njëjti të realizohet dhe të mos ngelë vetëm premtim.

“Dhashtë zoti që ky premtim mbi 10 vjeçar kësaj radhe të realizohet edhe pse Komuna e Tetovës që nga data 12 e muajit qershor ka dorëzuar në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës lejen me të cilën mund të fillohet ndërtimi i atij objekti”, tha Nazmi Dauti, udhëheqës i Sektorit për Veprimtari Publike në Komunën e Tetovës.

Kritika për këtë shkollë ndaj pushtetit, konkretisht ndaj BDI-së kishin banorët e fshatit Sellcë, të cilët në fillim të këtij viti ripërsëritën kërkesën e tyre shumë vjeçare për shkollën ndaj funksionarëve të BDI-së në një tubim partiak po në këtë fshat. Madje ata thanë se nëse shkolla dhe kërkesa të tjera nuk realizohen deri në zgjedhjet e ardhshme, ata do t’i dënojnë me votë.

Ndërtimi i objektit të ri të shkollës së Sellcës është edhe pjesë e programit zgjedhor me të cilin garoi BDI-ja në zgjedhjet e fundit parlamentare. Konkretisht në faqe 134 thuhet se vlera do të jetë 1.153.000 euro ndërsa do të fillojë në vitin 2020 dhe do të përfundojë në vitin 2022, por që kjo nuk u realizua në këtë afat.

Nxënësit e fshatit Sellcë mësimin e ndjekin në kushte të vështira dhe në dy objekte, njëri është një barakë e ndërtuar rreth viteve të  60-ta ndërsa tjetri u fillua në vitin 2000, mirëpo objekti mbeti vetëm një konstruksion.

Agim NuhiuArtan GrubiBashkimi Demokratik për Integrim (BDI)Fshati SellcëJeton ShaqiriKomuna e TetovësMinistria e Arsimit dhe Shkencës (MASH)Nxënës të shkollave fillore - filloristëPortalb Fakt - Premtime parazgjedhoreQeveria e Maqedonisë së VeriutShkolla e fshatit SellcëShkolla fillore