Një pjesë e ilaçeve të konfiskuara ilegale në RMV ishin destinuar për tregun vendas, ndërsa një pjesë për atë të huaj

Një pjesë e barnave ilegale që u konfiskuan gjatë një aksioni policor ishin të destinuara për tregun vendas, ndërsa një pjesë për tregun e huaj, tha ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski. Ai tha se rasti ka dalë nga procedurat e mëparshme operative dhe ekspertizat e telefonave celularë, transmeton Portalb.mk.

“Një pjesë e tyre ishte për tregun vendas, ndërsa një pjesë, sipas informacioneve të para që kam, ishte për tregun në territorin e shtetit fqinj. Është mirë që kjo procedurë dhe ky aksion janë ndërmarrë në mënyrë të koordinuar në bashkëpunim me Prokurorinë Publike, bazuar në procedurat e mëparshme që, le të themi, i kemi nisur dhe i kemi konkretizuar në kuadër të telefonave të sekuestruar gjatë aksionit të parë që patëm para një kohe”, deklaroi Toshkovski, duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve pas sesionit të dialogut të Konventës Kombëtare për Bashkimin Evropian.

Sipas Toshkovskit, më pas janë siguruar prova shtesë që kanë çuar në të gjitha hapat e ndërmarrë për zbulimin e grupit kriminal.

“Është mirë që është parandaluar një grup i organizuar kriminal që gjatë viteve të fundit ka vepruar në mënyrë të paligjshme, ka futur në territorin e shtetit lloje të ndryshme mallrash të paligjshme, siç mund të shprehem, dhe është mirë që tani nuk do të mund ta bëjë më të njëjtën gjë”, tha ai.

Ministri shpreson se Prokuroria Publike dhe gjykata në të ardhmen do t’i ndërmarrin të gjitha kompetencat e tyre, në mënyrë që në fund të ketë drejtësi në këtë rast dhe t’u dërgohet mesazh të gjithë atyre që mendojnë se janë të paprekshëm.

MPB-ja dje njoftoi detaje nga aksioni në të cilin u shkatërrua një grup kriminal për kontrabandë mallrash dhe vepra penale të lidhura me korrupsionin. Në kuadër të aksionit është ngritur kallëzim penal ndaj tetë personave, ndërsa janë konfiskuar mbi 100 mijë euro, barna, suplemente dhe sende të tjera.

Pas kallëzimit penal të dorëzuar nga MPB-ja, nga Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (PThP NKOK) njoftuan se një prokuror publik ka urdhëruar zhvillimin e procedurës hetimore ndaj tetë personave. Grupi dyshohet për vepra të rënda penale, mes tyre kontrabandë, fshehje të mallrave që janë objekt kontrabande dhe mashtrim doganor, prodhim dhe nxjerrje në qarkullim të mjeteve të dëmshme për trajtim, dhënie ryshfeti, si dhe pastrim parash.

Barna - Ilaçe - hapaMinistria e Punëve të Brendshme (MPB)Pançe Toshkovski