Të gjitha prokurimet e EVN Maqedonisë zhvillohen përmes një procedure të përcaktuar qartë, duke respektuar procedurat ligjore dhe kriteret specifike teknike, thonë nga kompania energjetike lidhur me kontratën e fundit për prokurimin e njehsorëve elektrikë, transmeton Portalb.mk.
Nga kompania thonë se një praktikë e tillë është zbatuar edhe në procedurën për prokurimin e njehsorëve, ku, përveç rregullativës ligjore, janë zbatuar në mënyrë konsekuente edhe kriteret për aftësi teknike dhe profesionale, përputhshmëria me kërkesat e specifikimit teknik, si dhe verifikimi nëse ekzistojnë arsye për përjashtimin e ofertuesve nga procedura.
Zgjedhja e ofertuesit, siç thonë nga EVN, është rezultat ekskluzivisht i procedurës së zhvilluar dhe përmbushjes së kritereve dhe kërkesave të përcaktuara paraprakisht, pa hapësirë për interpretime politike apo të tjera lidhur me përzgjedhjen.
“Ndryshimi i njehsorëve është pjesë e procesit për harmonizimin e plotë të sistemit të shpërndarjes me standardet e Bashkimit Evropian dhe po zbatohet intensivisht prej vitesh, ndërsa do të vazhdojë edhe në periudhën e ardhshme”, theksojnë nga EVN Maqedonia.
Nga atje e lidhin prokurimin e njehsorëve elektrikë me ciklin më të gjerë investues për modernizimin e rrjetit elektrodistributiv dhe përmirësimin e shërbimeve. Në kuadër të këtij procesi, sipas kompanisë, po realizohen disa aktivitete – menaxhimi në distancë i trafostacioneve, avancimi i zgjidhjeve softuerike për menaxhimin dhe zëvendësimi i njehsorëve elektrikë.
Kujtojmë se LSDM-ja akuzoi se një marrëveshje për orëmatës me vlerë rreth 13,2 milionë euro, e lidhur më 11 gusht 2026 mes EVN Maqedoni dhe kompanisë serbe “Meter&Control”, ngre pyetje të reja për lidhjet afariste në sektorin energjetik dhe për lidhjen e mundshme me persona nga pushteti.