Kundërspin: Ahmeti paragjykon vendimin e gjykatës për Grubin në rastin “Lotaria Shtetërore”

Paragjykimi kategorik i një vendimi gjyqësor – kur procedura në fakt sapo ka hyrë në fazën në të cilën prokuroria ende nuk ka paraqitur prova materiale dhe dëshmitarë – nga Ahmeti si udhëheqës i BDI-së, anëtar i shquar i së cilës ishte Grubi, është manipulim politik dhe shtrembërim i së vërtetës në lidhje me përgjegjësinë e të pandehurit. Sipas prezumimit të pafajësisë, Grubi është i pafajshëm derisa fajësia e tij të provohet me një vendim të formës së prerë të gjykatës, dhe jo kur “gjyqtari” Ali Ahmeti e thotë këtë, shkruan Vërtetmatësi.

Shkruar nga: Stojan Sinadinov

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, në fillim të procedurës gjyqësore kundër ish-zëvendëskryeministrit Artan Grubi në rastin që lidhet me Llotarinë Shtetërore, deklaroi se Grubi është i pafajshëm. Në një intervistë për A2 CNN, të raportuar nga “Tetova Sot”, Ahmeti shpreh besim se procedura gjyqësore kundër Grubit do të përfundojë pa një dënim për të. Në këtë deklaratë të Ahmetit mund të dallohet spin.

Spin: Artan Grubi është i pafajshëm dhe do të shpallet i pafajshëm, pasi nuk ka shkelur ligjet e vendit.

[Burimi: Inbox 7 Ahmeti: Artan Grubi është i pafajshëm dhe do të lirohet nga akuzat; Data – 18.09.2026]

Kundërspin: Deklarata e Ali Ahmetit vjen në momentin kur para gjykatës po zhvillohet procedura për rastin “Lotaria Shtetërore”, ku mes të akuzuarve është edhe ish-zëvendëskryeministri Artan Grubi. Ahmeti mund të bëjë deklarata në frymën e prezumimit të pafajësisë, si një e drejtë themelore e njeriut në sistemin e drejtësisë – që supozon se të gjithë janë të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim gjyqësor të formës së prerë dhe barra e provës është në anën e prokurorisë, jo të akuzuarit – por në deklaratën e tij, vërehet manipulim dhe shtrembërim i së vërtetës, ku deklaron paraprakisht përgjegjësinë e të akuzuarit që “nuk i ka shkelur ligjet e vendit”.

Gjykimi në rastin “Lotaria Shtetërore” filloi më 07.09.2026 me ngritjen e aktakuzës të përfaqësuar nga prokurorët publikë Daniel Kocev dhe Aleksandar Davçevski. Aktakuza i referohet veprimeve të ndërmarra gjatë viteve 2023 dhe 2024, me të cilat të dyshuarit i tejkaluan autorizimet e tyre zyrtare dhe i shkaktuan dëme “Lotarisë Shtetërore” në shumë prej 596.125.511 denarë (afro 10 milionë euro), dhe ata akuzohen për veprën penale keqpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar, gjegjësisht se dëmi i konsiderueshëm financiar është shkaktuar nga veprime të paligjshme që lidhen me punën dhe furnizimet e Lotarisë Shtetërore.

Konkretisht, aktakuza pretendon se Grubi, së bashku me ish-drejtorin e Lotarisë Shtetërore, Përparim Bajrami, dhe gjashtë individë të tjerë (Bashkim Avdi, Metodija Dimovski, Skender Mehmeti, Bojan Janev, Fatmir Ramadanovski dhe Aleksandar Dimitrioski), kanë tejkaluar autoritetin e tyre zyrtar në vitet 2023 dhe 2024 në lidhje me prokurimet publike dhe kontratat e kontestuara për blerjen e pajisjeve VLT, të cilat, sipas Prokurorisë, nuk ishin aspak të nevojshme dhe nuk u përdorën.

Grubi dhe të pandehurit e tjerë deklaruan të pafajshëm në fillim të gjykimit më 7 shtator, ndërsa mbrojtja i kundërshton akuzat dhe njofton se do të provojë gjatë procedurës se Grubi nuk ka kryer krim. Ndërsa mbrojtja e Grubit njoftoi se do të provojë pafajësinë e Grubit, Ahmeti pretendoi në fillim të procedurës gjyqësore se “Grubi është i pafajshëm dhe do të shpallet i pafajshëm, sepse nuk ka shkelur ligjet e vendit”.

Nëse kthehemi pas në kohë në kronologjinë e ngjarjeve që lidhen me aktakuzën kundër Grubit një vit e gjysmë më parë, faktet tregojnë se më 23 shkurt 2026, Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) arrestoi Artan Grubin, ish-deputet dhe zëvendëskryeministër, në pikën kufitare të Bllacës, pas arratisjes së tij që zgjati më shumë se një vit. Grubi pretendoi në profilin e tij në Facebook se nuk ishte në arrati, por se ishte në një vizitë private në territorin e Kosovës, por MPB nuk e gjeti atë në dy vendet në Maqedoni të raportuara si vendbanimet/shtëpitë e tij, kështu që për të u lëshua një urdhër arresti ndërkombëtar. Edhe pse Grubi ju shqipua paraburgim ndërsa ishte në arrati, pas arrestimit të tij, u zëvendësua me arrest shtëpiak për arsye sigurie.

Gjatë arratisjes së tij, Grubi u gjend në “listën e zezë të SHBA-së” për shkak të dyshimeve të tjera për kryerjen e krimeve. Ai, së bashku me gjyqtarin e apelit Enver Bexheti, u vendosën gjithashtu në “listën e zezë” të Departamentit të Shtetit, të publikuar më 09.12.2025, për “përfshirje në korrupsion të konsiderueshëm, ndërhyrje politike dhe përpjekje për të keqpërdorur gjyqësorin”, pra dyshim se kanë pranuar ryshfete për të ndikuar në gjykimet që lidhen me dënimin penal të ish-drejtorit të Administratës së Sigurisë dhe Kundërzbulimit (ASK), Sasho Mijalkov, në rastin “Target” të hapur nga Prokuroria Speciale Publike (PSP), i cili kishte të bënte me përgjimin masiv, një nga skandalet më të mëdha politike që u përshkallëzua në publik në shkurt 2015.

Përndryshe, për rastin “Lotaria Shtetërore”, Prokuroria Publike njoftoi prezantimin e 231 provave materiale, mendimeve të ekspertëve dhe dëgjimin e shtatë dëshmitarëve në këtë fazë të procedurës gjyqësore. Më parë, Prokuroria uli nivelin e kualifikimit të aktakuzës – nga përvetësim prej 10 milionë eurosh në keqpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar.

Paragjykimi kategorik i një vendimi gjyqësor – kur procedura në fakt sapo ka hyrë në fazën në të cilën prokuroria ende nuk ka paraqitur prova materiale dhe dëshmitarë – nga Ali Ahmeti si udhëheqës i partisë politike BDI, anëtar i shquar i së cilës ishte Artan Grubi, është manipulim politik dhe shtrembërim i së vërtetës në lidhje me përgjegjësinë e të akuzuarit. Sipas prezumimit të pafajësisë, Grubi është i pafajshëm derisa fajësia e tij të provohet me një vendim të formës së prerë të gjykatës, dhe jo kur “gjyqtari” Ali Ahmeti e thotë këtë.

Ali AhmetiArtan GrubiGjykatës(e) - Gjykim - GjyqësorLënda - rasti "Lotaria"Vertetmatës Kundërspin