Prokuroria Themelore Publike në Ohër po mbledh prova për zgjerimin e mundshëm të hetimit dhe ngritjen e kallëzimit penal edhe ndaj babait të Kristian Koraboskit, nën dyshimin për ndihmë në kryerjen e veprës penale, transmeton Portalb.mk.
Nga Prokuroria bëjnë të ditur se pas analizimit të provave do të vendosin nëse do të ketë procedurë edhe ndaj tij.
Ndërkohë, gjykimi ndaj 31-vjeçarit Koraboski, i akuzuar për sulmin ndaj 26-vjeçares Sara Gjorgjieska nga Ohri, është caktuar për më 27 nëntor.
Ai akuzohet për lëndim trupor, privim të kundërligjshëm nga liria dhe rrezikim të sigurisë. Në procedurën e provave janë përfshirë dokumentacioni mjekësor dhe incizimet video të ngjarjeve.
Koraboskit i është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh.
Ndërkohë, Sara është liruar nga spitali “Shën Erazmo”, ndërsa ekzaminime shtesë për përcaktimin e gjendjes së saj shëndetësore janë kryer në Shkup.
Drejtori i Byrosë për Siguri Publike, Aleksandar Janev, paralajmëroi gjithashtu një kontroll për lëshimet e mundshme gjatë veprimit të policisë.
Sipas Prokurorisë, ai e ka mbajtur partneren të mbyllur në mënyrë të kundërligjshme, e ka sulmuar dhe i ka shkaktuar lëndime trupore gjatë ushtrimit të dhunës në familje.
Pas denoncimit, e dëmtuara u mor në pyetje në prani të përfaqësuesve të shërbimeve sociale. U krye edhe ekspertizë mjekësore për të përcaktuar llojin dhe natyrën e lëndimeve.
Pas mbledhjes së provave, Prokuroria ngriti akuzë për tri veprat penale dhe kërkoi paraburgim. Gjykata e miratoi kërkesën për të siguruar zhvillimin e papenguar të procedurës penale.
Koraboski u privua nga liria. Më herët, Gjykata, me kërkesë të Prokurorisë, i kishte caktuar masa kujdesi.
Rastet e dhunës në familje dhe ndaj grave ditëve të fundit kanë bërë bujë në opinionin publik.