Me një performancë simbolike të “varrimit” të drejtësisë, të shoqëruar me një marsh mortor nga një orkestër frymore, si dhe me ndezjen e qirinjve para pankartave me mbishkrimet “Drejtësi” dhe “Të drejta”, Sindikata e Kulturës e Republikës së Maqedonisë (SKRM) sot organizoi protestë para Gjykatës Kushtetuese, në prag të vendimmarrjes për Marrëveshjen Kolektive për Kulturën, transmeton Portalb.mk.
Kryetarja e SKRM-së, Verica Atanasovska, tha se është absurde që punëtorët të detyrohen t’i mbrojnë të drejtat e tyre të fituara pikërisht para institucionit që duhet të jetë mbrojtës i kushtetutshmërisë. Ajo publikisht shtroi pyetjen se përse Gjykata po vendos pikërisht tani për Marrëveshjen Kolektive, në një kohë kur javën e ardhshme u përfundon mandati kryetarit të Gjykatës Kushtetuese dhe një gjyqtari tjetër, ndërsa lëndë të tjera, përfshirë edhe iniciativën sindikale për Udhëzimin për llogaritjen e pagave në kulturë, prej vitesh qëndrojnë në sirtar.
“A e di kryetari i Gjykatës Kushtetuese se, nëse nesër bëhet profesor në ndonjërin nga universitetet e vendit tonë, do t’i gëzojë të njëjtat të drejta, të kopjuara fjalë për fjalë nga Marrëveshja Kolektive për Kulturën, të cilat sot, sipas veprimeve të paralajmëruara, mund të vihen në pikëpyetje për të punësuarit në kulturë? Paramendoni këtë konsistencë juridike: diçka që në kulturë konsiderohet e diskutueshme, te të tjerët është e pranueshme. Duket se drejtësia nuk është e verbër – ndonjëherë hedh një sy për të parë se ndaj kujt zbatohet vendimi që do të marrë”, pyeti Atanasovska.
Ajo shtoi se durimi dhe sjellja korrekte e deritanishme e sindikatës janë interpretuar gabimisht si dobësi, duke paralajmëruar veprim më të hapur dhe zhvendosjen e protestave para Ministrisë së Kulturës. Ajo tha se me vendimin e sotëm, gjyqtarët kushtetues do të tregojnë nëse janë mbrojtës apo “varrmihës të të drejtave dhe drejtësisë”.
“Sot edhe ne, edhe gjyqtarët jemi të veshur me të zeza – ne në shenjë proteste, ndërsa ata në emër të drejtësisë. Prandaj, sot organizohet simbolikisht një varrim i rremë, por jo i kulturës, por i sigurisë juridike, për humbjen e së cilës na paralajmëruan që para një viti. Ndoshta sot do të arrijnë të varrosin një marrëveshje kolektive, por le të mos shpresojnë se bashkë me të do të varrosin edhe njerëzit që luftojnë për të”, deklaroi Atanasovska, duke paralajmëruar se protestat e radhës do të vazhdojnë para Ministrisë së Kulturës.
Nënkryetarja e SKRM-së u përcolli një mesazh të shkurtër gjyqtarëve kushtetues:
“Të nderuar juristë të shquar, ndoshta ju sot do të vendosni për fatin e të drejtave të punëtorëve, por për ju do të gjykojë historia”.
Në fjalimin e tij në gjuhën maqedonase dhe shqipe, përfaqësuesi i sindikatës dhe aktori paralajmëroi se shfuqizimi eventual i marrëveshjes kolektive do të krijonte një precedent të rrezikshëm për mosrespektimin e të gjitha marrëveshjeve në shoqëri, duke pyetur nëse të drejtat e punëtorëve po kthehen dy shekuj prapa.
“Ata mendojnë se janë të fortë, por nëse ne bashkohemi, nëse qëndrojmë së bashku dhe vazhdojmë gjithnjë e më fuqishëm, do të jemi më të fortë se ata”, theksoi ai.
Ndryshe, Sindikata e Kulturës e Republikës së Maqedonisë (SKRM) të mërkurën i kërkoi Gjykatës Kushtetuese ta shtyjë vendimmarrjen për kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë e Marrëveshjes Kolektive për Kulturën, të caktuar për të premten, më 27 nëntor, dhe paraprakisht të mbajë debat publik ku do të dëgjoheshin të gjitha palët e prekura.
Nga Sindikata shprehin dyshime se vendimi tashmë është i njohur paraprakisht. Ata theksojnë se, pavarësisht dy shkresave të dërguara në maj dhe tetor të këtij viti, ende nuk kanë marrë as ftesë dhe as përgjigje nga Gjykata për pjesëmarrje në seancë, ndonëse SKRM-ja është një nga nënshkruesit e drejtpërdrejtë të marrëveshjes.
Gjykata Kushtetuese iu përgjigj menjëherë se lënda në të cilën janë kontestuar neni 78-l i Ligjit për Kulturën dhe Marrëveshja Kolektive për Kulturën është vendosur në rend dite të seancës dhe tashmë ndodhet në fazën e votimit.
Nga Gjykata thanë se përmbahen nga komentimi publik i argumenteve juridike dhe nga çdo paragjykim i rezultatit të procedurës, duke paralajmëruar se opinioni do të informohet me kohë pas marrjes së vendimit.