Tre muaj i akuzuar – ende ministër, heshtje nga Shaban Saliu, Qeveria ende po shqyrton shkarkimin e tij. Ministri pa portofol dhe ish-drejtor i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Shaban Saliu, i cili është një nga të pandehurit në rastin e zjarrit në Koçan, është ende ulur në karrigen ministrore, megjithëse nga Ilindenska nr. 2, ata njoftuan që nga prilli se Kryeministri Mickoski do ta shkarkonte atë sapo të kthehej nga një udhëtim pune, transmeton Portalb.mk.
“Si qeveri, ne jemi plotësisht të përkushtuar për një hetim të plotë dhe në atë drejtim po shqyrtojmë të gjitha procedurat dhe rregullat që kemi në dispozicion. Në interes të procedurës, ju informojmë se pasi kryeministri të kthehet nga vizita e tij zyrtare në Emiratet e Bashkuara Arabe, personat e përfshirë në hetim do të shkarkohen”, deklaruan nga Qeveria.
Kryeministri Mickoski është kthyer prej kohësh nga ai udhëtim, dhe Saliu është ende ministër. Kur u pyet nëse dhe kur do të shkarkohet nga detyra, Mickoski tha sot se do të flasë fillimisht me Saliun.
“Duhet të takohemi me z. Shaban Saliu dhe të flasim. Tashmë jemi në komunikim për hapat e mëtejshëm që duhen ndërmarrë. Në mënyrë që kur të ketë diçka të re, publiku të informohet”, deklaroi Mickoski.
Ndryshe, Ministri pa resor dhe ish-drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim Shaban Saliu, i cili është një nga të dyshuarit për zjarrin në Koçan, në muajin maj është liruar nga paraburgimi.
Në zjarrin që ndodhi më 16 mars në diskotekën “Pulse” në Koçan, po atë ditë, jetën e humbën 59 persona, ndërsa më 4 prill, më 7 prill dhe 17 prill, ndërruan jetë edhe tre persona të tjerë, duke e çuar numrin total të viktimave në 62. Nga zjarri mbetën 196 të lënduar që u trajtuan brenda dhe jashtë vendit.
Një hetim është duke u zhvilluar kundër 68 individëve dhe tre personave juridikë për tragjedinë që tronditi të gjithë vendin. Akuzat pritet të ngrihen nga mesi i qershorit.