“Ednakva” dënoni kërcënimet ndaj dy gazetareve në Maqedoninë e Veriut

Rrjeti mediatik i grave “Ednakva” ka dënuar ashpër thirrjet për dhunë drejtuar gazetares Milka Smilevska, si dhe mesazhet për vendosjen e gazetares Teodora Cvetkovska “nën mbikëqyrje”, duke vlerësuar se këto janë përpjekje serioze për të frikësuar dhe heshtur gazetaret femra, raporton SP, përcjell Portalb.mk.

Rrjeti shpreh shqetësim për presionet, kërcënimet dhe sulmet e shpeshta ndaj grave në media, duke theksuar se ato shpesh kanë një dimension gjinor, pra u drejtohen gazetareve që kritikojnë publikisht, bëjnë pyetje dhe sfidojnë qëndrimet diskriminuese.

Sipas “Ednakva”, thirrjet për dhunë ndaj Smilevskës janë të papranueshme dhe nuk mund të justifikohen me mosmarrëveshje politike, ideologjike ose personale. Prandaj, ata paralajmërojnë se një retorikë e tillë krijon një atmosferë frike dhe autocensure, e cila mund t’i dekurajojë gazetaret femra nga mbulimi i temave me interes publik.

Lidhur me rastin e Teodora Cvetkovskës, Rrjeti thekson se mesazhi se ajo do të vendoset “nën mbikëqyrje” është veçanërisht shqetësues sepse vjen pas kritikave të saj ndaj pikëpamjeve se gratë duhet të jenë nën mbikëqyrjen e meshkujve.

“Një retorikë e tillë jo vetëm që është fyese dhe e papranueshme, por gjithashtu riprodhon modele patriarkale të kontrollit mbi gratë dhe të drejtën e tyre për të menduar, folur dhe vendosur në mënyrë të pavarur”, deklaron “Ednakva”.

Ndryshe, Agjencia për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuale (ASHMAA) ka shprehur shqetësimin për seriozitetin e përmbajtjeve të publikuara në rrjetin social Facebook, të drejtuara ndaj gazetares Milka Smilevska, të cilat, përveç karakterit fyes dhe shqetësues, përmbajnë edhe kërcënime të drejtpërdrejta dhe thirrje për dhunë fizike.

Mesazhe të tilla janë veçanërisht shqetësuese, pasi tejkalojnë kufijtë e shprehjes së lejuar të mospajtimit dhe kritikës.

Kujtojmë se edhe Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) dënoi dje komentet shqetësuese, fyerjet dhe thirrjet e drejtpërdrejta për dhunë të drejtuara ndaj gazetares Milka Smilevska në rrjetin social Facebook.

3 maj – Dita Botërore e Lirisë së MediaveBarazi gjinoreDhuna familjareDhuna ndaj graveDhunë - DhunaGazetarë - Gazetari - MediaPolicia e Maqedonisë së VeriutRrjeti kundër dhunësSulm ndaj gazetarëve