Kuvendi sot pasdite, në kuadër të seancës së 129-të e miratoi amendamentin për shlyerjen e nenit 13 të Propozim-ligjit për ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për Furnizime Publike, raporton MIA. Amendamenti u paraqit nga deputetët Bojan Stojanoki, Dafina Stojanoska dhe Brane Petrushevski. Me miratimin e tij, siç theksoi Stojanoski, ndryshimet në Ligj janë në përputhje me udhëzimet e presidentes Gordana Siljanovska Davkova.
“Me fshirjen e këtij neni, ne i pranojmë plotësisht dekretet e presidentes dhe besojmë se ky ligj mund të miratohet pa pengesa, për ta lehtësuar sistemin dhe për ta bërë atë më praktik, më ligjor, më transparent dhe më efektiv për të gjithë administratën shtetërore”, tha Stojanoski.
Stojanoski shtoi se ndryshimet ligjore janë pjesë e Agjendës së reformave dhe qëllimi i tyre është të përmirësojnë sistemin duke futur mjete digjitale dhe inteligjencë artificiale.
Ai gjithashtu paraqiti statistika mbi zbatimin në ndërtim.
“Këtu mund të shihni një krahasim midis 29 tremujorëve të LSDM -së dhe 8 të VMRO-DPMNE-së. Ja ndryshimi dhe ja pse po ndryshohet ky ligj. Kur i mbledhni të gjitha 29 tremujorët e LSDM-së, 14 janë negativë dhe 15 janë pozitivë, kurse për VMRO-DPMNE të gjitha tetë tremujorët janë pozitivë. Plus ka një rritje mesatare tremujore reale prej 14,1 në ndërtimtari, ndërsa LSDM në 29 tremujorë minus 0,2”, theksoi Stojanoski.
Fatmir Bytyqi nga LSDM-ja gjithashtu mori fjalën, duke thënë se më parë, gjatë debatit në komision, opozita tashmë e kishte paraqitur këtë dhe disa amendamente të tjera. Me kërkesë të tij, kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, dha një pauzë njëorëshe, pas së cilës pritet të vazhdojë seanca.
Siljanovska Davkova i dërgoi një letër Parlamentit më 4 nëntor, duke informuar se, pas një analize të kujdesshme dhe konsultimeve me ekspertë, në përputhje me nenin 75 paragrafi 3 të Kushtetutës, ajo vendosi të mos e nënshkruajë dekretin për shpalljen e ndryshimeve ligjore, të miratuara në seancën parlamentare më 26 tetor të vitit 2026.
Në Ligjin për ndryshim dhe plotësim të Ligjit për Furnizime Publike janë parashruar gjithsej 2.158 amendamente.
Siç njoftoi sot kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, kjo parti do të përpiqet të bllokojë miratimin e ndryshimeve ligjore me pothuajse 2.000 amendamente.
“Në frymën e mendimeve dhe rekomandimeve të Komisionit të Venecias, theksoj se nëse mundësia për një rizgjedhje, përkatësisht për një mandat prej 5+5 vjetësh në Komisionin e Prokurimeve Publike, mundësonte pushtet dhe ndikim të madh, atëherë legalizimi i një numri të pakufizuar mandatesh rrezikon të çojë në përqendrimin e pushtetit absolut në duart e disa personave, të cilët vendosin për shpenzimin e shumave të mëdha të parave publike”, kishte deklaruar presidentja Gordana Siljanovska-Davkova.
Në përputhje me nenin 183 të Rregullores së Punës së Kuvendit, nëse presidenti i Republikës vendos të mos e nënshkruajë dekretin për shpalljen e një ligji, Kuvendi e rishqyrton ligjin në fazën e leximit të tretë, brenda 30 ditëve nga dita e miratimit të tij.
Pas rishqyrtimit të ligjit, amendamentet mund të dorëzohen vetëm në lidhje me vërejtjet e presidentit. Afati për dorëzimin e amendamenteve për këto ndryshime përfundoi të premten, më 6 nëntor.