Banorët e Llopatit të Kumanovës ngrenë alarmin për hekurudhën pranë fshatit, pasi sinjalizimi shpesh nuk funksionon ose jep alarme të rrejshme. Ata thonë se detyrohen ta kalojnë vijën hekurudhore pa asnjë paralajmërim, duke rrezikuar jetën dhe kërkojnë ndërhyrje urgjente nga institucionet. Nga Ndërmarrja Publike “Infrastruktura Hekurudhore” thonë se po zhvillohen punime dhe testime teknike, pas të cilave sinjalizimi pritet të funksionojë pa ndërprerje, shkruan Portalb.mk.
Banorët e fshatit Llopat, në Komunën e Kumanovës, shprehin shqetësimin për mungesën e sinjalizimit dhe rampave përgjatë hekurudhës që kalon pranë fshatit.
Ata thonë se shpesh sinjalizimet janë të rrejshme, dhe për shkak të kësaj detyrohen të kalojnë hekurudhën duke rrezikuar jetën e tyre.
Kjo hekurudhë përdoret rregullisht dhe lidh fshatrat e Komunës së Likovës me Kumanovën.
Një banore e fshatit Llopat për Portalb.mk theksoi se shpesh sinjalizimet paralajmëruese japin sinjale të rrejshme.
“Hekurudha që kalon përmes fshatit Llopat nuk ka sinjalizime paralajmëruese të sakta prej kohësh, dhe nuk funksionojnë siç duhet.Në këtë pikë kalimi, trenat shpesh kalojnë pa asnjë paralajmërim zanor duke krijuar situatë të rrezikshme për ne drejtuesit e automjeteve. Gjithashtu, ka raste kur sinjalizimi jep sinjale të rrejshme, dhe detyrohemi të presim mbi 30 minuta, ndërkohë për të kaluar hekurudhën rrezikojmë jetën tonë”, tha një banore.
Një banor tjetër thotë se ndjehen të rrezikuar për shkak të mungesës së sinjalizimeve.
“Unë, personalisht, kam qenë disa herë në rrezik të drejtpërdrejtë me jetën time, pikërisht për shkak të mungesës të sinjaleve paralajmëruese. Është e papranueshme që kjo situatë vazhdon pa u adresuar, duke lënë jetët tona në dorë të fatit”, tha një banor .
Ndërsa një banor tjetër theksoi se siguria publike nuk mund të neglizhohet dhe institucionet duhet të marrin masa.
“Kërkojmë urgjentisht nga autoritetet përgjegjëse që të ndërhyjnë për riparimin e sinjaleve që nuk funksionojnë, dhe të kryejnë vlerësimin e sigurisë së këtij segmenti, të sigurojnë që trenat të zbatojnë protokolle paralajmërimi derisa sinjalet të rivihen në punë, dhe që siguria publike nuk mund të neglizhohet dhe se rreziku nuk duhet të injorohet deri në ndonjë incident të rëndë”, tha një banor.
Ai apeloi te institucionet lokale dhe përgjegjëse për zgjidhje të menjëhershme, në mënyrë që lëvizja në këtë zonë të jetë e sigurt për të gjithë banorët dhe udhëtarët.
Ditë më parë, më 7 dhjetor edhe banorët e fshatit Opajë, Komuna e Likovës, përmes një videoje të publikuar në Facebook, bënë apel për kujdes duke theksuar se rampa e hekurudhës në fshatin Llopat nuk funksionon dhe se qytetarët duhet të jenë të kujdesshëm, duke kontrolluar majtas e djathtas para se ta kalojnë hekurudhën, deri në rregullimin e rampës.
Nga Komuna e Kumanovës theksuan se kompetenca për zgjidhjen e këtij problemi i përket Hekurudhave të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
“Për mbrojtjen, ndriçimin dhe sinjalizimin në pjesën e linjës hekurudhore që kalon nëpër fshatin Llopat, ju njoftojmë se kompetenca për zgjidhjen e këtij problemi i takon Hekurudhave të Republikës së Maqedonisë së Veriut”, thanë nga Komuna e Kumanovës.
Nga Ndërmarrja Publike Infrastruktura Hekurudhore e Republikës së Maqedonisë së Veriut, njoftuan se sapo të përmbyllen të gjitha punët teknike gjatë fazës së testimit, sinjalizimi do të vihet në funksion të plotë dhe të pandërprerë.
“Ju informojmë se në kryqëzimin rrugor në Llopat, i cili është modernizuar dhe ka të instaluara pajisje sinjalizimi, aktualisht është duke u zhvilluar një provë e këtyre pajisjeve teknike. Pasi të përfundojnë të gjitha këto aktivitete teknike gjatë periudhës së testimit, sinjalizimi do të jetë në funksionim të vazhdueshëm”, thanë nga Infrastruktura Hekurudhore e RMV.
Kujtojmë se, prej më shumë se dy dekada banorët e fshatit Rramanli, Komuna e Kumanovës jetojnë me frikën e kalimit mbi rrugën e cila kalon përmes hekurudhës ku nuk ka rampë, masa mbrojtëse dhe sinjalizim adekuat. Pavarësisht aksidenteve të shumta, disa edhe me pasoja fatale, institucionet ende nuk kanë gjetur zgjidhje.