RMV, sot votuan të sëmurët dhe të burgosurit, diaspora votoi vetëm për kandidatët për president

Në prag të zgjedhjeve të dyfishta – rrethi i dytë i zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare (8 maj), të sëmurët dhe të dobësuarit votuan sot në vend. Votuan edhe të burgosurit, personat në paraburgim, personat në qendra të kujdesit jashtë familjar si dhe personat e zhvendosur, transmeton Portalb.mk.

Në qendrën 31 të votimit në përfaqësitë diplomatike konsullore jashtë vendit, të drejtën e votimit për zgjedhjen e Presidentit të Shtetit e kanë pasur 2569 votues të regjistruar dhe aplikimet e të cilëve janë pranuar nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve. Votimi për zgjedhjet parlamentare nuk është zhvilluar në diasporë për shkak të mosplotësimit të numrit minimal të votuesve të regjistruar për të votuar që t’iu mundësohet votimi.

“Deri në orën 19:00, sipas informacioneve që marrim nga këshillat zgjedhorë, pjesëmarrja totale nga votimi jashtë vendit për zgjedhjet presidenciale është 652 votues, pra 16.74 %. Bëjmë me dije se gjashtë vendvotime ku votimi është  në vazhdim, nuk janë përfshirë në këtë pjesëmarrje për shkak të zonës kohore.” njoftojnë nga KShZ.

Janë mbyllur 14 qendrat e votimit në burgje, ku 2147 votues ushtruan sot të drejtën e votës për zgjedhjet presidenciale dhe 2140 votues për zgjedhjen e deputetëve në Kuvend.

“Votimi atje kaloi pa probleme dhe deri në orën 19, sipas informacioneve nga këshillat zgjedhorë, votuan 1298  votues ose 60.46% e të regjistruarve për zgjedhjet presidenciale, pra  1397  votues ose 68.72 % për zgjedhjet parlamentare. Gjatë ditës së sotme 2 votues të cilët identifikohen si persona të zhvendosur brenda vendit kanë mundur të ushtrojnë të drejtën e votës në të vetmen qendër për personat e zhvendosur brenda vendit dhe kanë ushtruar të drejtën e tyre për të dy llojet e zgjedhjeve. Vendvotimi në qendrën për personat e zhvendosur është mbyllur.” njoftojnë nga KShZ.

Gjithsej 534 votues të vendosur në 20 qendra të kujdesit jashtë familjar patën mundësinë të ushtrojnë të drejtën e votës në qendrën ku ndodhen për zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare.

Nga totali 534 votues nga qendrat 20, 401 votuan ose 75.09 %  votues për presidentin  e shtetit,  400  votues nga qendrat 20 ose 74.91%  votuan për zgjedhjen e deputetëve.

Sipas informatave nga komisionet komunale zgjedhore, 8926 dmth 80.45%  të sëmurë ose të pafuqishëm kanë votuar për president të shtetit, dmth. 10036 ose 92.04 %  për deputetë në shtëpinë ligjvënëse.

Më 8 maj, në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale, të drejtë vote kanë 1.814.317 votues, ndërsa në zgjedhjet parlamentare 1.815.350. Diferenca në vota është 1033, përgjithësisht për shkak të moshës madhore të qytetarëve.

Në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale do të votohen dy kandidatë ndërsa në zgjedhjet parlamentare do të votohen 17 lista të deputetëve.

Kujtojmë se në rrethin e parë të zgjedhjeve presidenciale 2024 nga numri i përgjithshëm i votuesve 1.1814.317 votuan 867.000 qytetarë apo 49,94%, prej të cilëve numri i votave të vlefshme ishte 881.272 ndërsa vota të pavlefshme dolën 24.562.

DiasporaZgjedhje parlamentare RMV 2024Zgjedhje presidenciale RMV 2024