Ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski, tha se po shqyrtohet mundësia e vendosjes së pagesës elektronike të taksave rrugore, e cila fillimisht do të zbatohej në autostradën e re Kërçovë–Ohër, e cila pritet të vihet plotësisht në funksion në maj të vitit të ardhshëm, transmeton Portalb.mk.
Nikolloski, i cili sot mori pjesë në Konferencën e 21-të të MASIT-it, kushtuar inteligjencës artificiale, tha se do të kërkohet ndihmë nga ekspertët për hartimin e ligjit dhe se po shqyrtohet mundësia që pagesa të bëhet sipas kilometrave të përshkuar.
Sipas ministrit të Transportit, kjo mënyrë e pagesës do të mundësojë qarkullim më të shpejtë të automjeteve, pagesë më të lirë për ata që i shfrytëzojnë autostradat, si dhe siguri më të madhe dhe parandalim të aksidenteve në komunikacion.
Nikolloski bëri të ditur se dje ka pasur takim me kryetarin e ri të Komunitetit Evropian të Transportit dhe se do të shfrytëzohet ekspertiza e tyre për hartimin e ligjit.
“Kroacia po përpiqet ta zbatojë këtë sistem në rajon, por ende nuk e ka filluar. Aktualisht ka nisur zbatimi në unazën e Beogradit dhe kjo është pak a shumë gjithçka që mund të shohim në rajon. Prandaj na nevojitet përvoja e vendeve më të avancuara evropiane dhe për këtë arsye mendova se ishte e dobishme ta ftoja, t’ia prezantonim idenë tonë dhe të përfshijmë ekspertë nga Komuniteti Evropian i Transportit, të cilët së bashku me ekspertët tanë do të punojnë për këtë ligj”, tha Nikolloski.
Nikolloski shpreson që gjatë muajit dhjetor të mund ta prezantojnë ligjin.
Siç theksoi ai, pagesa do të bëhej sipas kilometrave të përshkuar, me çka do të shmangej praktika aktuale që të njëjtën shumë ta paguajnë edhe ata që udhëtojnë, për shembull, nga Shkupi, edhe ata që nisen nga Bogdanci ose Gjevgjelia.
“Ideja jonë është që pagesa të bëhet sipas kilometrave, gjë që do të jetë shumë më e drejtë sesa praktika aktuale. Tani, teorikisht, nëse niseni nga Demir Kapia drejt Gjevgjelisë, paguani 100 denarë në pikën e pagesës në Smokvicë. Nëse niseni nga Shkupi drejt Gjevgjelisë, në të njëjtën pikë paguani përsëri 100 denarë, gjë që për banorët e Demir Kapisë është e pandershme dhe e padrejtë. Prandaj konsiderojmë se pagesa duhet të bëhet sipas kilometrave të përshkuar, gjë që do ta ulë ndjeshëm çmimin”, shtoi Nikolloski.
Siç tha ministri, kjo mënyrë e pagesës, përveç autostradës Kërçovë–Ohër, më vonë do të zbatohej edhe në autostradat e tjera që janë në ndërtim, si Prilep–Manastir, Bukojçan–Gostivar, Gostivar–Tetovë dhe Kërçovë–Bukojçan.
Në fjalimin e tij në konferencë, Nikolloski tha se si qeveri po krijojnë kornizën ligjore dhe administrative për zbatimin e inteligjencës artificiale, me qëllim që të mundësohet përdorimi i saj dhe të ndiqet ritmi i zhvillimit digjital.
Në fjalimin e tij, ai theksoi se qëllimet e shtetit janë përcaktuar në Strategjinë për Zhvillimin e TIK-ut – “SMART MK 2030”, e cila ofron udhëzime konkrete për zbatimin e proceseve digjitale dhe teknologjisë së avancuar.
Duke folur për krijimin e kushteve për zhvillim digjital, ai theksoi se investimet në qendrat e të dhënave janë politika të duhura që sjellin rezultate të konsiderueshme ekonomike.
Ai bëri të ditur se tashmë janë bërë ndryshime në Ligjin për Planifikim Urbanistik dhe Ligjin për Ndërtim, me qëllim që të mundësohet zhvillimi i kapaciteteve të tilla.
“Në këtë drejtim, tashmë së bashku me Ministrinë e Transformimit Digjital po punojmë për zhvillimin e qendrës së parë shtetërore kombëtare të të dhënave. Tashmë i kemi kaluar të gjitha vendimet e rëndësishme në nivel qeveritar dhe të dyja ministritë po punojnë për urbanizimin e hapësirës dhe përfundimin e kornizës ligjore. Pas kësaj do të pasojë investimi, i cili do të jetë një konfirmim dhe tregues shtetëror se në cilin drejtim duhet të zhvillohen gjërat. Shpresoj që së shpejti të kemi edhe investimin e parë në një qendër më të madhe private të të dhënave”, deklaroi Nikolloski.
Zëvendëskryeministri u bëri thirrje edhe sektorit të biznesit që t’ua përcjellë institucioneve idetë e tij, në mënyrë që të ofrohet mbështetje e përbashkët në këtë fushë.
Duke folur për digjitalizimin në sektorin e transportit, Nikolloski informoi se vendosja e sistemeve inteligjente të transportit (ITS) është pjesë e detyrimeve ndaj Bashkimit Evropian në kuadër të Planit të Rritjes. Ai njoftoi se pesë ligje nga kjo fushë tashmë janë në fazën përfundimtare të konsultimeve në Bruksel, nga ku këtë javë pritet të merret përgjigjja përfundimtare.
Sipas paralajmërimeve të Nikolloskit, pritet që deri në fund të vitit 2027 ose në fillim të vitit 2028 të zbatohet sistemi inteligjent i transportit në Korridorin 10, nga Tabanoci deri në Gjevgjeli, pas së cilës do të punohet edhe në Korridorin 8.
Sa i përket hekurudhave, ai tha se aktualisht në sistemin ENER ndodhen pesë ligje në konsultim publik dhe se pritet që deri në mesin e vitit të ardhshëm të diskutohet edhe për sistemet inteligjente të transportit në hekurudha.
Nikolloski theksoi se për projektin e hekurudhës së shpejtë në Korridorin 10 është marrë vendimi përfundimtar që të zbatohet sistemi më i ri EMTC S2, me qëllim që faktori njerëzor të reduktohet në minimum dhe siguria të ngrihet në nivelin më të lartë, veçanërisht pas aksidenteve hekurudhore që ndodhën në Greqi dhe së fundmi në Spanjë.
Gjithashtu, zëvendëskryeministri bëri të ditur se po punohet me ritëm të përshpejtuar edhe për vendosjen e sistemit kombëtar me një sportel të vetëm, si dhe për një sistem të ri të digjitalizimit të pagesës së taksës rrugore.