Edhe me shtatë inspektorë të rinj, Inspektorati i Mjedisit në Maqedoni mbetet me mungesë kuadri

Inspektorati Shtetëror i Mjedisit Jetësor do të punësojë shtatë inspektorë të rinj të mjedisit nëse deputetët e miratojnë ligjin për transformimin e marrëdhënies së punës me afat të caktuar në marrëdhënie të rregullt pune, përmes të cilit të punësuarit me kontratë të përkohshme do të fitojnë punësim të përhershëm. Inspektorët, të cilët në Inspektorat kanë kontrata deri në fund të këtij viti, nuk mund të kryejnë mbikëqyrje inspektuese derisa të punësohen dhe ta përfundojnë trajnimin për të marrë certifikatën e inspektorit, transmeton Portalb.mk.

Inspektorati aktualisht ka vetëm 27 të punësuar, prej të cilëve 19 janë inspektorë, që përbën rreth 50 përqind të vendeve të punës të parapara me sistematizim. Institucioni që duhet të garantojë zbatimin e ligjeve dhe të mbrojë qytetarët dhe mjedisin jetësor prej vitesh përballet me kapacitete të dobëta, buxhet të vogël dhe numër të madh obligimesh.

Drejtoresha e Inspektoratit, Ivana Ginovska, thotë se numri i inspektorëve do të zvogëlohet, pasi muajin e ardhshëm edhe njëri prej tyre do të dalë në pension. Aktualisht ka edhe inspektorë që nuk kryejnë mbikëqyrje, sepse ende janë në trajnim përgatitor.

“Inspektorati Shtetëror i Mjedisit Jetësor ka gjithsej 27 të punësuar të rregullt, përveç drejtorit. Prej tyre, 19 janë inspektorë shtetërorë: 14 për mjedisin jetësor, tre për mbrojtjen e natyrës dhe dy inspektorë të ekonomisë së ujërave. Shtatë të punësuar janë nëpunës administrativë. Kemi edhe tetë persona të punësuar me kontratë me afat të caktuar deri më 31 dhjetor, prej të cilëve shtatë janë inspektorë shtetërorë të mjedisit jetësor dhe një është nëpunës administrativ. Nëse, në përputhje me ligjin e paralajmëruar, statusi i tyre transformohet deri në fund të vitit 2026 ose gjatë vitit 2027 në punësim të rregullt, ata nga ai moment do të duhet të kalojnë një trajnim njëvjeçar para se të marrin certifikatën e inspektorit”, thotë Ginovska.

Ajo thekson se, sipas sistematizimit të institucionit, plotësimi i vendeve të punës në Inspektoratin Shtetëror të Mjedisit Jetësor është rreth 50 përqind, pa llogaritur personat që janë të punësuar me afat të caktuar dhe që nuk kryejnë mbikëqyrje. Nëse ata punësohen, do të plotësohen disa vende të lira pune. Tre prej tyre do të punojnë në Shkup, ndërsa nga një në Kërçovë, Shtip, Gjevgjeli dhe Tetovë.

Megjithatë, disa komuna do të vazhdojnë të mbeten pa asnjë inspektor shtetëror të mjedisit jetësor. Inspektorati prej vitesh përballet me mungesë të kuadrit, ndërsa Ginovska para disa muajsh deklaroi se Kumanova, Strumica, Prilepi dhe Manastiri nuk kanë fare inspektor shtetëror të mjedisit jetësor. Ndërkaq, Ohri, ndonëse është zonë nën mbrojtjen e UNESCO-s, ka vetëm një inspektor. Këtë vit tashmë dy inspektorë kanë dalë në pension, ndërsa shumica e atyre aktivë janë në moshë më të shtyrë.

Inspektorati Shtetëror i Mjedisit Jetësor këtë vit kishte edhe buxhet të reduktuar. Institucioni mori 35 milionë denarë, që është dy milionë më pak se vitin e kaluar. Prej tyre, 85 përqind shpenzohen për pagat e të punësuarve. Edhe pse puna e inspektorëve zhvillohet në terren, Inspektoratit i mungojnë edhe automjetet. Inspektorët, veçanërisht ata të ekonomisë së ujërave, të cilët kryejnë kontrolle në terrene të paarritshme, siç janë hidrocentralet e vogla, në të kaluarën është dashur t’ua paralajmërojnë vizitat kompanive që i kontrollojnë, në mënyrë që ato t’u sigurojnë automjet për terren. Të gjitha automjetet e Inspektoratit, përveç dy prej tyre, janë siguruar përmes donacioneve.

Kujtojmë se Inspektorati Shtetëror i Mjedisit Jetësor tash e disa vite punon me gjysmën e inspektorëve të nevojshëm, ndërsa edhe ky numër po zvogëlohet për shkak pensionimit.

Inspektorati Shtetëror i Mjedisit Jetësor (Ekologjik) RMVMinistria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor (MMJPH)