Gjykata e liroi nga paraburgimi të dënuarin për djegien e veturave të Ambasadës bullgare, Igor Dashkovski Stojanovski. Gjykata konstatoi se rreziku i arratisjes është zvogëluar në atë masë saqë nuk është më e nevojshme të sigurohet prania e tij me masën më të rreptë – paraburgimin, e as nuk është i domosdoshëm kufizimi i mëtejshëm i së drejtës së tij për liri, transmeton Portalb.mk.
“Duke shqyrtuar arsyet për vazhdimin e masës së paraburgimit ndaj të akuzuarit Igor Dashkovski Stojanovski nga Shkupi, gjykata konstatoi se rreziku i arratisjes është zvogëluar në atë masë saqë nuk është më e nevojshme të sigurohet prania e tij me masën më të rreptë – paraburgimin, e as nuk është i domosdoshëm kufizimi i mëtejshëm i së drejtës së tij për liri. Kjo për shkak se i akuzuari Igor Dashkovski Stojanovski ka vuajtur rreth gjysmën e dënimit të shqiptuar me burg prej tetë muajsh, prandaj pothuajse nuk ekziston rreziku që ai të arratiset për t’iu shmangur vuajtjes së pjesës së mbetur të dënimit. Gjatë marrjes së vendimit, gjykata mori parasysh se i akuzuari e ka pranuar fajësinë, gjë që tregon se ai e ka pranuar përgjegjësinë dhe nuk përbën bazë për të arritur në përfundimin se do të arratisej për t’iu shmangur përfundimit të plotfuqishëm të procedurës. Për këtë arsye, gjykata vlerësoi se i akuzuari mund ta presë në liri përfundimin e plotfuqishëm të procedurës”, thonë nga Gjykata.
Një arsye shtesë, thonë ata, për shfuqizimin e masës së paraburgimit janë edhe rrethanat e tij personale: ai ka një fëmijë të mitur, në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut ka vendbanim të përhershëm dhe të njohur, “gjatë seancave gjyqësore ka treguar sjellje korrekte dhe nuk e ka kontestuar gjendjen faktike”.
“Ndryshe nga koha kur ishte caktuar fillimisht paraburgimi, në këtë fazë nuk janë paraqitur prova shtesë ose rrethana konkrete që do ta mbështesnin nevojën për vazhdimin e kësaj mase. Kjo ndonëse, sipas standardeve të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, me kalimin e kohës kërkohet një arsyetim gjithnjë e më bindës dhe më i individualizuar për vazhdimin e masës së paraburgimit”, thonë nga Gjykata.
Për arsyet e përmendura, shtojnë nga Gjykata, në përputhje me nenin 146, paragrafi 1, pika 2 të Ligjit për Procedurë Penale, gjykata vendosi që i akuzuari Igor Dashkovski Stojanovski nga Shkupi të paraqitet një herë në javë, çdo të mërkurë, te zyrtari përgjegjës në Njësinë për Krim të Organizuar dhe Korrupsion, në Gjykatën Themelore Penale në Shkup, në periudhën nga ora 09:30 deri në 12:00.
“Gjykata vlerësoi se qëllimi për të cilin ishte caktuar paraburgimi do të arrihet edhe përmes kësaj mase. Në kuptim të nenit 146, paragrafi 2 të Ligjit për Procedurë Penale, detyrimi i të akuzuarit për t’u paraqitur te zyrtari përgjegjës do të zgjasë më së shumti deri në përfundimin e plotfuqishëm të procedurës penale. Duke pasur parasysh sa më sipër dhe në përputhje me nenin 174, paragrafi 2, në lidhje me nenin 173, paragrafi 1, pika 3, si dhe nenin 146, paragrafi 2, në lidhje me paragrafin 1, pika 2 të Ligjit për Procedurë Penale, gjykata vendosi si në dispozitivin e këtij aktvendimi”, thonë nga Gjykata.
I akuzuari për djegien e dy veturave diplomatike të Ambasadës së Bullgarisë në Shkup, ngjarje që ndodhi në qershor të këtij viti, në seancën e e 30 tetorit, në Gjykatën Themelore Penale në Shkup e pranoi fajësinë për rastin. Duke u deklaruar para gjykatës, ai tha se e pranon plotësisht fajësinë dhe se këtë pranim e bën me vetëdije, pa asnjë presion. Ai gjithashtu deklaroi se vetë kishte vendosur ta kryente veprën penale, përkatësisht t’i digjte veturat.
Aktakuza për këtë rast u ngrit nga PTHP NKOK më 16 shtator, duke vlerësuar se me veprën e kryer, i akuzuari kishte krijuar rrezik të konsiderueshëm për jetën dhe trupin e personave nën mbrojtje ndërkombëtare.
Sipas pretendimeve të Prokurorisë, më 15 qershor, i akuzuari kishte mbushur një shishe plastike me benzinë në një pompë karburanti pranë Ambasadës së Bullgarisë në Shkup. Më pas ishte drejtuar drejt objektit diplomatik, kishte spërkatur me benzinë veturat e parkuara që i përdornin të punësuarit e ambasadës, u kishte vënë flakën dhe ishte larguar nga vendi i ngjarjes.
Qeveria dhe Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme e Maqedonisë së Veriut e dënuan atëherë djegien e veturave diplomatike në pronësi të Ambasadës së Bullgarisë dhe shprehën pritshmëri se do të zhvillohej një hetim i shpejtë dhe efikas për rastin.