Shtatë femicide këtë vit, organizatat në RMV kërkuan masa konkrete e jo konferenca

Rrjeti për Mbrojtje nga Diskriminimi, Rrjeti Nacional për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Dhuna ndaj Grave dhe Dhuna në Familje dhe Platforma për Barazi Gjinore kërkojnë moratorium për të gjitha ngjarjet protokollare dhe promovuese të institucioneve gjatë fushatës “16 Ditë Aktivizëm kundër Dhunës me Bazë Gjinore”. Në vend të konferencave, ceremonive dhe aktiviteteve promovuese, organizatat kërkojnë vendime konkrete politike, përgjegjësi institucionale dhe mjete financiare për mbrojtjen e grave, transmeton Portalb.mk.

Organizatat theksojnë se gjatë këtij viti në vend kanë ndodhur shtatë femicide dhe e konsiderojnë të papranueshme që institucionet të vazhdojnë të organizojnë ngjarje për të promovuar sukseset e tyre, ndërkohë që gratë vazhdojnë të vriten, madje edhe në rastet kur dhuna është raportuar paraprakisht. Ato kërkojnë që 16 ditët e aktivizmit, nga 25 nëntori deri më 10 dhjetor, të shfrytëzohen për masa konkrete dhe jo për mesazhe simbolike, si ndriçimi i institucioneve me ngjyrë portokalli.

Gjashtë kërkesat e organizatave drejtuar institucioneve:

  1. Miratimi urgjent i ndryshimeve në Ligjin për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Dhuna ndaj Grave dhe Dhuna në Familje, të dorëzuara në Kuvend më 26 gusht, më së voni deri më 10 dhjetor 2026.

  2. Përfundimi dhe miratimi i pakos së ndryshimeve në tetë ligje, përfshirë Ligjin për Policinë dhe Ligjin për Familjen, me qëllim përmirësimin e mbrojtjes institucionale dhe koordinimit ndërmjet policisë, mbrojtjes sociale dhe gjyqësorit.

  3. Sigurimi i mjeteve konkrete në Buxhetin për vitin 2027, përfshirë së paku 200 milionë denarë për shërbime të specializuara për mbrojtjen dhe mbështetjen e viktimave të dhunës, si dhe programe parandaluese për trajtimin e kryerësve të dhunës.

  4. Miratimi dhe publikimi i konkluzioneve nga debati mbikëqyrës parlamentar për dhunën me bazë gjinore, me përgjegjësi konkrete institucionale, afate dhe mekanizma për monitorim.

  5. Tërheqja e ndryshimeve regresive në ligjet për arsimin fillor dhe tekstet shkollore për arsimin fillor dhe të mesëm, udhëzimin për mbrojtjen nga dhuna në arsimin fillor dhe programin për edukimin seksual, të cilat, sipas organizatave, kanë dobësuar mbrojtjen nga diskriminimi, barazinë gjinore dhe parandalimin e dhunës me bazë gjinore.

  6. Përcaktimi urgjent i përgjegjësisë individuale dhe institucionale për të gjitha rastet e femicideve, përfshirë rastin e fundit të vajzës 17-vjeçare nga Bogdanci. Kërkohet kontroll i pavarur i veprimeve të institucioneve kompetente dhe pasoja konkrete për lëshimet e konstatuara.

Të njëjtat kërkesa organizatat ua kanë drejtuar edhe ambasadave të shteteve të zhvilluara demokratike evropiane në Maqedoninë e Veriut, Delegacionit të Bashkimit Evropian, agjencive të Kombeve të Bashkuara, OSBE-së dhe përfaqësuesve të tjerë të bashkësisë ndërkombëtare. Prej tyre kërkojnë të përdorin autoritetin e tyre politik për të nxitur përmbushjen e kërkesave, t’i mbështesin publikisht dhe të kërkojnë përgjigje konkrete nga Qeveria dhe Kuvendi.

Organizatat u bëjnë thirrje edhe grave nga të gjitha partitë politike, deputeteve, kryetareve të komunave dhe anëtareve të këshillave komunalë që t’u bashkohen kërkesave, pavarësisht përkatësisë politike. Ato theksojnë se dhuna ndaj grave nuk është çështje partiake, por çështje e jetës, sigurisë dhe dinjitetit.

Ndërkaq, organizatat sqarojnë se moratoriumi nuk nënkupton ndërprerjen e aktivizmit qytetar. Ato mbështesin protestat, marshimet, iniciativat lokale dhe aktivitetet që ofrojnë mbështetje të drejtpërdrejtë për gratë, por nuk do të marrin pjesë në konferenca dhe ngjarje protokollare të organizuara nga institucionet që, sipas tyre, deri më tani kanë dhënë vetëm premtime pa i realizuar ato.

Në veçanti, ato bëjnë thirrje për mbështetjen e protestës së paralajmëruar nga iniciativa qytetare “Asnjë më shumë”, më 25 nëntor, në Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave.

Organizatat kërkojnë që deri më 10 dhjetor, kur përfundon fushata, institucionet të dëshmojnë se cilat ligje janë miratuar, sa mjete janë siguruar për shërbimet e mbrojtjes dhe parandalimit të dhunës, cilat masa janë ndërmarrë dhe kush ka mbajtur përgjegjësi për lëshimet institucionale.

Ndryshe, të njëjtat organizata, edhe më 11 nëntor kërkuan moratorium për ceremonitë, konferencat dhe fushatat simbolike në kuadër të fushatës “16 Ditë Aktivizëm kundër Dhunës me Bazë Gjinore”.

Ndërkohë për rastet e fundit të femicidit ka reaguar edhe Delegacionin e Bashkimit Evropian në Shkup.

“Pas rastit të fundit të femicidit në Maqedoninë e Veriut, Delegacioni i BE-së shpreh shqetësim serioz për trendin alarmues – shtatë raste të femicidit të raportuara vetëm këtë vit”, deklaruan nga Delegacioni i BE-së.

Dhuna familjareDhuna ndaj graveDhunë - DhunaFemicidRrjeti kundër dhunës