RMV, gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar 30 zjarre

Qendra për Menaxhimin e Krizave (QMK) njoftoi se gjatë 24 orëve të fundit në RMV, deri në orën 08:00 të datës 3 gusht 2026, në të gjithë vendin janë regjistruar gjithsej 30 zjarre në hapësirë të hapur, shkruan Portalb.mk.

Sipas informacioneve të fundit, momentalisht nuk ka zjarre aktive. Nga numri total, një zjarr është vënë nën kontroll, ndërsa 29 të tjerë janë shuar plotësisht.

Nën kontroll mbetet zjarri në territorin e komunës së Brodit Maqedonas, midis fshatrave Sllatinë dhe Greshnicë, ku digjej pyll i degraduar me drurë të ulët dhe vegjetacion i ulët.

QMK informon se shërbimet kompetente vazhdojnë të ndjekin situatën në terren dhe mbeten të gatshme për ndërhyrje të shpejtë në rast se shfaqen zjarre të reja.

Ndryshe, “Air Tractor”-ët janë rikthyer në qendër të debatit për mbrojtjen nga zjarret në Maqedoninë e Veriut, pasi Stojançe Angellov, drejtor i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, deklaroi në emisionin “Top Tema” në Televizionin Telma se synimi i tij është blerja e edhe tre avionëve të tjerë për shuarjen e zjarreve, përfshirë edhe një avion me dy ulëse për trajnim. Megjithatë, pas kësaj ambicieje fshihet një paradoks i dukshëm: shteti flet për avionë të rinj, ndërsa prej vitesh përballet me mungesë pilotësh që do t’i drejtojnë ata.

 

Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim RMVQendra për Menaxhim me Kriza (QMK) RMVZjarrZjarrfikës