RMV, doganierët të premten do të dalin në protestë paralajmëruese, opsion edhe mbyllja e pikave kufitare

Të punësuarit në Drejtorinë doganore nuk iu intereson se kush është drejtori i ri e kush është drejtori i vjetër – të premten do të dalin në protestë paralajmëruese sepse me vite nuk e kanë marrë atë që u takon sipas ligjit dhe Marrëveshjes kolektive, e kjo është pagesa e një kompensimi prej 30 për qind nga paga, transmeton Portalb.mk.

Kështu deklaroi sot në një konferencë për media kryetari i Sindikatës së punëtorëve në administratë, organeve të drejtësisë dhe shoqatave të qytetarëve (SPAODShQ), Tërpe Deanoski, duke paralajmëruar protestën e ardhshme paralajmëruese të punëtorëve të këtij institucioni.

“Pamë se ministri i financave ka siguruar rritje të pagave prej 30 për qind në Ministrinë e Financave dhe në institucionet tjera, por edhe pse punëtorët e Doganës kanë të drejtë në këtë kompensim nuk e kanë marrë kurrë”, tha Deanoski në konferencën e sotme për media. .

Deanoski theksoi se punëtorët e Drejtorisë doganore çdo vit e mbushin buxhetin e shtetit për më shumë se 51 për qind dhe për këtë, siç shtoi, me vite nuk marrin rritje të pagave, e as shtesa në pagë që u takon.

“E dimë që ka drejtor të ri, presim të vijë. Presim ardhjen e tij për të parë nëse ai do të dëgjojë kërkesat tona sepse nuk janë të reja dhe ne nuk heqim dorë nga to. Nuk na intereson a kemi drejtor të ri apo të vjetër”, shtoi kreu i Sindikatës së PAODShQ-së.

Nëse doganierët nuk marrin përgjigje nga institucionet kompetente për kërkesat e tyre, do të radikalizojnë protestat, dhe një nga opsionet që tashmë po shqyrtojnë është mbyllja e pikave kufitare.

Protesta e doganierëve, paralajmëroi Deanoski, është e para në serinë e protestave që do të pasojnë në periudhën e ardhshme në institucionet tjera dhe me të cilat, siç tha ai, do të realizohet vera e nxehtë sindikale e paralajmëruar.

DoganaDrejtoria e doganave RMVProtesta
Comments (0)
Add Comment