Revizioni ka konstatuar se te Fondi për Sigurim Shëndetësor edhe më tej ekzistojnë mospërputhje në mënyrën e sigurimit dhe monitorimit të efikasitetit të trajtimit jashtë vendit, në mënyrën e financimit/blerjes së shërbimeve nga Institucionet Shëndetësore Publike dhe në përditësimin e çmimeve referente për shërbimet shëndetësore dhe të Listës së barnave që mbulohen nga Fondi. Përveç aktiviteteve të ndërmarra për zbatimin e një pjese të rekomandimeve, ende vazhdojnë të ekzistojnë dobësi dhe nevojiten përmirësime sistemore, veçanërisht në funksionimin e sistemit të TI-së dhe në kontrollet që Fondi zbaton mbi kryerjen dhe faturimin e shërbimeve shëndetësore, transmeton Portalb.mk.
Enti Shtetëror i Revizionit kreu revizionin e raporteve financiare dhe revizionin e pajtueshmërisë të Fondit për Sigurim Shëndetësor të Republikës së Maqedonisë së Veriut për vitin 2024 .
Me revizionin e kryer është shprehur mendim me rezerva për paraqitjen e vërtetë dhe objektive të pasqyrave financiare dhe për pajtueshmërinë e punës me rregullativën përkatës ligjore. Pavarësisht aktiviteteve të ndërmarra për zbatimin e rekomandimeve të dhëna nga revizionet e mëparshme, ende vazhdojnë të ekzistojnë dobësi dhe nevojiten përmirësime sistemore.
Revizioni thekson se pagesa jo në kohë e mjeteve në bazë të kontributeve nga institucionet kompetente ndikon në likuiditetin e Fondit, duke vështirësuar shlyerjen me kohë të detyrimeve ndaj institucioneve shëndetësore, në kuadër të kompensimeve të kontraktuara.
“Përkatësisht, përfundim të shkurtit 2026, kontributet e papaguara nga Fondi i Sigurimit Pensional dhe Invalidor arrijnë në 8.415.865 mijë denarë (rreth 137 milionë euro), ndërsa vazhdimisht po rritet dallimi ndërmjet mjeteve të planifikuara dhe realizimit të tyre, siç është paraqitur në grafik”, thonë nga Revizioni.
Gjithashtu, për shkak të mjeteve të pamjaftueshme të siguruara nga Buxheti, mjetet e papaguara nga Ministria e Shëndetësisë në bazë të kontributit për personat e pasiguruar, në fund të vitit 2024, arrijnë në 2.136.300 mijë denarë (përafërsisht 35 milionë euro).
Revizioni konstatoi se në funksionimin dhe zhvillimin e sistemit informativ të Fondit , ekzistojnë ende sfida të lidhura me mungesën e dokumenteve strategjike, kapacitetet e pamjaftueshme kadrovike, funksionalitetin e pjesshëm të moduleve të veçanta dhe mundësitë e kufizuara për avancimin e mëtejshëm të tyre. Njëkohësisht, po vonohet vendosja e sistemit të recetës elektronike, ndërsa kontrollet ekzistuese sistemore në procesin e lëshimit dhe faturimit të recetave nuk sigurojnë nivel të mjaftueshëm të kontrollës.
“Janë konstatuar dobësi në kontrollet që Fondi zbaton mbi kryerjen dhe faturimin e shërbimeve shëndetësore nga institucionet shëndetësore. Ndërlidhja jo e plotë e sistemit informativ të Fondit me sistemin „Termini Im“, mbështetja jo e plotë informatike e procesit të monitorimit, përllogaritjes dhe pagesës së kompensimeve për mjekët e zgjedhur, si dhe koordinimi i pamjaftueshëm ndërmjet njësive organizative, mungesa e planifikimit të kontrolleve në bazë të analizës së rrezikut dhe numri i pamjaftueshëm i mjekëve-kontrollorë, e kufizojnë shtrirjen dhe efikasitetin e kontrolleve dhe nuk sigurojnë konfirmim të plotë për shërbimet shëndetësore të kryera realisht”, thonë nga Revizioni.
Nga aty theksojnë se në vitin 2024 janë kryer gjithsej 44 kontrolle në institucionet që ofrojnë mbrojtje shëndetësore spitalore, ku pothuajse në gjysmën e tyre janë konstatuar parregullsi.
“Njëkohësisht, pjesa më e madhe e kontrolleve kryhen në institucionet publike, ndërsa në spitalet private, ku lartësia e pagesave varet nga vëllimi i shërbimeve të kryera, kontrollet janë të pamjaftueshme. Aktivitetet e filluara për digjitalizimin dhe vendosjen e modulit softuerik për planifikimin e kontrolleve nuk kanë përfunduar për shkak të mosplotësimit të parakushteve teknike dhe organizative”, thekson Revizioni.
Në fushën e prokurimeve publike janë konstatuar dobësi në planifikimin dhe zbatimin e prokurimeve të TI-së. Në 17 nga 20 procedurat e reviduara është dorëzuar vetëm një ofertë, ndërsa revizioni vëren se një pjesë e kushteve dhe kërkesave teknike nuk kanë qenë plotësisht proporcionale me objektin e prokurimit, që ka ndikuar në kufizimin e konkurrencës.
“Për më tepër, moduli i prokuruar për pranimin dhe kontrollin e faturave për sigurimin shëndetësor jashtë vendit, edhe pse është dorëzuar dhe pranuar zyrtarisht, nuk është vënë në funksion, pasi nuk i përgjigjet nevojave të procesit të punës. Për këtë arsye, dokumentacioni financiar me fondet e huaja vazhdon të përpunohet në mënyrë manuale, duke ulur efikasitetin e procesit dhe duke rritur rrezikun e lëshimeve dhe të papërditësuara”, thotë Revizioni.
Në fushën e trajtimit jashtë vendit janë konstatuar dobësi në respektimin e afateve ligjore për marrjen e vendimeve, në monitorimin e procedurave dhe në vlerësimin e suksesit të trajtimit.
“Gjithashtu, nuk janë vendosur në nivel të mjaftueshëm kontrollet në procesin e evidentimit dhe mbylljes së mjeteve të paguara paraprakisht (avanset) ndaj institucioneve shëndetësore të huaja, shuma e të cilave është rritur vazhdimisht gjatë viteve të fundit. Përkatësisht, rreth gjysma e shumës së përgjithshme të avanseve i përket periudhës 2014–2023, për të cilat nuk janë pranuar faturat përfundimtare ose nuk është kryer kthimi i mjeteve”, tha Revizioni.
Si çështje kyçe e revizionit theksohet se modeli aktual i financimit të institucioneve publike shëndetësore nuk siguron zbatim të plotë të parimit të pagesës sipas shërbimeve shëndetësore të kryera. Përkatësisht, Fondi, në vend që të kompensojë shërbimet shëndetësore të kryera realisht, ka detyrim ligjor të sigurojë mjete për funksionimin e plotë të të gjitha institucioneve publike shëndetësore, ndërkohë që pjesa më e madhe e tyre kanë realizuar një vëllim dukshëm më të vogël të shërbimeve krahasuar me kompensimin e kontraktuar.
Për më tepër, revizioni thekson pasigurinë lidhur me rezultatin e proceseve gjyqësore të nisura, në të cilat Fondi paraqitet si palë e paditur, si dhe nevojën për përditësimin e çmimeve referente për shërbimet shëndetësore, të cilat në pjesën më të madhe janë përcaktuar para më shumë se 10 vitesh dhe nuk i pasqyrojnë kostot reale.