Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë të dielën se autoritetet e kishin neutralizuar një “dron me eksploziv”, që, sipas tij, synonte ta godiste ndërtesën e Kryeministrisë në Tiranë. Ai gjithashtu akuzoi aktorë të huaj për ndërhyrje në protestat e dhunshme kundër Qeverisë, duke përmendur Iranin si burim të dezinformimit, raporton Radio Evropa e Lirë.
Trazirat pesëditore në kryeqytetin shqiptarë janë përshkallëzuar në dhunë duke shkaktuar të lënduar mes policëve dhe protestuesve dhe dëme materiale. Dhuna në protestë ka nxitur thirrje për vetëpërmbajtje.
Në një adresim publik, Rama tha se droni ishte neutralizuar dy ditë më parë dhe se synonte t’i vinte zjarrin oborrit të brendshëm të Kryeministrisë, me “pasoja potencialisht të rënda”.
“Kjo është një dorë e huaj”, shtoi ai, duke pretenduar se një operacion i tillë nuk mund të ishte menduar apo organizuar nga studentët dhe të rinjtë shqiptarë që po protestojnë.
Radio Evropa e Lirë i ka kontaktuar Prokurorinë dhe Policinë në Shqipëri për koment lidhur me këtë, por ende nuk ka marrë përgjigje.
Kryeministri shqiptar gjithashtu pretendoi se ekzistojnë të dhëna për ndërhyrje të huaja në rrjetet sociale, të cilat, sipas tij, synojnë të nxisin destabilizimin e vendit.
“Ne kemi shumë të dhëna, do vazhdojmë ta pasurojmë atë që kemi nisur qysh në krye të herës me interferencën në rrjetet sociale të atyre ‘duarve të huaja’”, tha Rama.
Ai përmendi shprehimisht Iranin, të cilin e cilësoi si një prej burimeve të dezinformimit, duke thënë se “ku, natyrisht, një dorë tjetër është republika Khomeiniste e Iranit, kulmi i dezinformimit”.
Rama iu referua edhe një postimi të Aleksandr Duginit, një nga ideologët kryesorë të Kremlinit dhe mik i ngushtë i presidentit rus, Vladimir Putin.
Pa e përmendur Duginin me emër, Rama e cilësoi atë si “babain ideologjik” dhe “udhëheqësin shpirtëror” të Putinit.
Në një postim në rrjetin social X, më 17 tetor, Dugin i përshkroi shqiptarët si “popull shumë interesant dhe trim”, duke shkruar se “po zgjohen tani”. Ai iu referua gjithashtu rolit të të krishterëve ortodoksë në ndërtimin e shtetit shqiptar dhe traditës sufiste të islamit në vend.
Deklaratat e tij vijnë në kohën kur Shqipëria po përballet me protesta kundër Qeverisë, të cilat janë shoqëruar me përplasje mes demonstruesve dhe forcave të rendit.
Rama pretendoi se një grup prej 200 deri në 300 personash të maskuar, që sipas tij nuk kanë lidhje me studentët, po e shkakton pjesën më të madhe të dhunës.
Ai akuzoi gjithashtu kundërshtarët politikë për nxitjen dhe organizimin e trazirave, duke pretenduar se sulmet ndaj bankave dhe bizneseve synojnë të përhapin panik në vend.