Rasti Krmzov: Dy mijë faqe dokumente për krimin ekonomik të mbi 90 milionë eurove

Nëntëdhjetë (90) milionë euro është dëmi total ndaj buxhetit të shtetit, të cilin e kanë shkaktuar ndërmarrjet të lidhura me biznesmenin e njohur nga Strumica Risto Krmzov. Faktet e para të mbledhura rreth rastit numërojnë dy mijë faqe, me çka paraqet njërin prej rasteve më voluminoze që ka të bëjë me krimin ekonomik. Informacionin e kanë konfirmuar nga Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (PTHP NKOK) në brifingun e organizuar për gazetarë, shkruan Portalb.mk.

“Prokurorit Publikе po ndërmerr të gjitha aktivitetet për të zbuluar krimin dhe ato tashmë po japin rezultate. Ajo që mund t’ju premtoj si kryeprokuror është se procedurat do të jenë të drejta dhe do të ketë edhe intolerancë absolute për autorët e krimeve, pavarësisht nga prejardhja e tyre apo lidhja me ndonjë strukturë specifike. Këtë tashmë e kemi konfirmuar. Mund të konfirmoj se nuk ka drejtësi selektive në Prokurorinë Publike. Lidhur me këtë rast, kemi rreth dy mijë faqe të dokumenteve të sekuestruara dhe ky është një nga rastet më voluminoze në lidhje me krimin ekonomik”, tha kryeprokurori Lupço Kocevski.

Sipas informacioneve nga Prokuroria Publike për Krim të Organizuar dhe Korrupsion, në vitin 2023, ish-drejtoresha e Drejtorisë së të Ardhurave Publike, Sanja Lukarevska, ngriti alarmin se diçka nuk shkonte me shumat e mëdha të rimbursimeve të TVSH-së për 15 kompani nga Strumica. Nëntë muaj më parë, Ministria e Punëve të Brendshme, e udhëhequr nga Pançe Toshkovski, bastisi ato kompani dhe tani Prokuroria ka hapur zyrtarisht një hetim. 

Nga prokuroria njoftuan se janë të akuzuar 23 persona fizik dhe 15 persona juridik. Ata dyshohen për organizim kriminal, mashtrim tatimor, pastrim parash dhe sjellje joadekuate. Për disa nga të pandehurit është kërkuar paraburgim, ndërsa për të tjerë masa të tjera sigurie. 

Prokurorja e lëndës, Verica Brzhecka Krsteva ka njoftuar se aktivitetet e paligjshme janë kryer nëpërmjet kontratave fiktive, manipulimeve të TVSH-së dhe shitjes së pasurive të paluajtshme me çmime ekstreme. Lokalet afariste që u shitën, shtoi ajo, ndodhen në Strumicë dhe të gjitha janë në pronësi të personit juridik Krmzov. 

Ajo theksoi se kontabilistët, menaxherët e personave juridikë dhe inspektorët e DAP-it gjithashtu janë të dyshuar, dhe po shqyrtohet mundësia e zgjerimit të hetimit për të përfshirë persona dhe periudha kohore të reja. 

Sipas vlerësimeve fillestare, dëmi arrin në rreth 90 milionë euro, dhe, siç njoftojnë nga prokuroria, aktivitetet e paligjshme janë kryer përmes kontratave fiktive, manipulimeve të TVSH-së dhe shitjeve të pasurive të paluajtshme. 

“Hapësira e biznesit që kompanitë ia shisnin-blenin-rishisnin-blenin në mënyrë fiktive njëra-tjetrës kushtonte nga 4,000 deri në 20,000 euro për metër katror, dhe secila merrte rimbursim të TVSH-së nga shteti”, tha mes tjerash Krsteva.

Siç njoftuan nga Prokuroria, iniciativa për hetimin erdhi nga Drejtoria e të Ardhurave Publike dhe çështja përfshinë periudhën nga viti 2019 deri në vitin 2024. 

Hetimi nga autoritetet kompetente për rastin “Krmzov” tregon se disa milionë euro nga Eurostandard Bank janë transferuar në llogari në Turqi. Hetimi ka të bëjë me disa kompani nga Strumica, të cilat ishin pjesë e skemës së biznesmenit nga Strumica, Risto Krmzov, për të keqpërdorur paratë. Kompanitë e lidhura me biznesmenin nga Strumica, siç u raportua në brifingun e sotëm, fituan mbi 30 milionë euro nga rimbursimet e TVSH-së përmes faturave fiktive.

Krmzovit dje iu caktua tridhjetë ditë paraburgim për shkak të rrezikut të arratisjes, ndikimit ndaj dëshmitarëve dhe mundësisë së përsëritjes së krimit.

Kujtojmë që Prokuroria hapi lëndë kundër Krmzovit dhe bizneseve të tij pasi u kryen bastisje në disa vlokacione në të gjithë vendin me dyshimin për evazion fiskal, mashtrim tatimor dhe pastrim parash. Në shtator të vitit të kaluar, u krye operacion për të hetuar evazionin fiskal në kompanitë në Strumicë, Shkup dhe Gostivar.

Prokuroria e Përgjithshme Publike për Krimin e Organizuar dhe Korrupsionin (PPPKOP) RMVProkuroria Themelore Publike (PTHP) RMV