Ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve për epideminë në Gostivar, tha se Ministria do ta publikojë raportin epidemiologjik më 20 gusht, duke theksuar se fokusi i kësaj epidemie është që të dilet në mënyrë transparente dhe të qartë me mësime të nxjerra. Vijuan përplasjet politike midis LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së, transmeton Portalb.mk.
“Fillimisht dua të sqaroj një dezinformatë që po përhapet. Kur njoftova, thashë se më 20 gusht do të publikojmë informacione, përkatësisht raportin epidemiologjik për Gostivarin. Aty do të thuhet se çfarë dhe si ka ndodhur dhe cilat institucione çfarë kanë bërë. Vetë rezultatet e analizave të ujit janë pronë e Ndërmarrjes Publike Komunale të Gostivarit dhe të Komunës së Gostivarit. Ajo që do të publikojë Ministria janë rezultatet që ishin relevante për epideminë, pra nga 1 janari i vitit 2026 deri në kulmin e epidemisë. Meqë bëhet fjalë për kontrolle ditore të ujit, nuk shoh asgjë të diskutueshme që ato të publikohen edhe nga Ndërmarrja Publike Komunale dhe nga Qendra për Shëndet Publik”, tha Klekovski.
Ai shtoi se rezultatet janë në dispozicion në qendrat për shëndet publik dhe do të publikohen.
Nga ana tjetër LSDM-ja kërkoi të publikohet nëse janë kryer analizat e ujit të pijshëm në Gostivar dhe pse ato deri tani nuk janë bërë publike. Sipas tyre, nuk ka asnjë institucion apo person përgjegjës që qëndron pas konstatimit për rregullsinë e ujit dhe deri më tani nuk është publikuar asnjë dokument i vlefshëm që konfirmon se uji është i sigurt për qytetarët.
Ata thonë se rezultatet e para për të përcaktuar nëse uji është i përshtatshëm për pije ishin paralajmëruar për 20 gusht, por gjashtë ditë më herët, përkatësisht një ditë para kthimit të Mickoskit nga udhëtimi, u njoftua se uji është i sigurt, edhe pse për këtë nuk është publikuar asnjë analizë.
“LSDM prej ditësh publikisht kërkon nga Qeveria e Mickoskit që të publikojë dokumentin zyrtar, analizën apo rezultatin që konfirmon se uji në Gostivar është i sigurt për pije. Pyetja është pse fshihet dokumenti zyrtar për ujin në Gostivar? Pse nuk publikohet? Cili institucion e ka bërë analizën e ujit dhe cilat janë rezultatet? Kush e ka nënshkruar raportin dhe kush, me nënshkrimin e tij, garanton se uji është i sigurt? Cili institucion e ka bërë analizën e ujit dhe cilat janë rezultatet? Kush e ka nënshkruar raportin dhe kush, me nënshkrimin e tij, garanton se uji është i sigurt?”, thanë nga LSDM.
Nga VMRO–DPMNE akuzuan se LSDM vazhdon të përhapë panik të panevojshëm te qytetarët.
“Për ujin në Shkup u publikuan pretendime, të cilat institucionet kompetente i demantuan menjëherë. Sa i përket Gostivarit, analizat e fundit treguan se uji sërish është i sigurt për pije. Në vend që këto informacione të përshëndeten, LSDM vazhdon me përpjekjet për të krijuar dyshime. Pyetja është e thjeshtë: pse LSDM-së i pengon kur institucionet tregojnë se sistemi funksionon dhe se problemi është zgjidhur?”, thanë nga VMRO–DPMNE.
Përndryshe, më 17 korrik, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë lëshoi ndalesë për pirjen e ujit në Gostivar pasi u zbuluan pompa që drejtpërdrejt injektonin ujëra të zeza në sistemin e furnizimit me ujë. Inspektorët e AUV-së dolën në terren së bashku me policinë pasi u regjistrua një numër i rritur i qytetarëve me probleme me stomakun.
Disa ditë më vonë, më 20 korrik, drejtoresha e NP “Komunalec” nga Gostivari dhe dy punonjës të tjerë u ndaluan dhe kundër tyre u iniciua hetim për ndotjen e ujit në Gostivar. Ata dyshohen se me lëndë të dëmshme e kanë bërë të papërdorshëm ujin për pije në dhomën e tejmbushjes së sistemit që e furnizon me ujë Komunën e Gostivarit dhe disa fshatra përreth. Sipas hetimit më 25 qershor të dyshuarit kishin urdhëruar punonjësit të vendosnin tre pompa zhytëse në një kanal me ujë sipërfaqësor të ndotur pranë dhomës së tejmbushjes së ujit të pijshëm për ta testuar presionin e ujit.
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë mori mostra të ujit, por edhe pse rezultatet e analizave ishin gati Qeveria dhe Prokuroria nuk i publikuan menjëherë. Pas insistimit të gazetarëve Prokuroria Publike i publikoi rezultatet sipas të cilave uji në Gostivar ka qenë jashtëzakonisht i ndotur dhe nuk duhej të përdorej për asnjë qëllim. Në ujë u zbuluan “baktere koliforme 2.419,6 cfu/100 ml, ndërkohë që kufiri maksimal i lejuar është 50 cfu/100 ml, ndërsa në mostrat e marra nga burimi i ujit u konstatua se në ujë ka një numër të rritur të kolonive bakteriale mezofile aerobe dhe prani të baktereve koliforme, ku sipas standardeve duhet të ketë 0 cfu/100 ml, ndërsa në ujë u gjetën 39 cfu/100 ml. Bëhet fjalë për sasi jashtëzakonisht të madhe të fekaleve në ujin e pijshëm.
Më 14 gusht u njoftua se uji është i sigurt dhe mund të përdoret për pije.