Në sallën gjyqësore në burgun “Idrizovë” sot vazhdoi gjykimi për zjarrin në të ashtuquajturin kabare “Puls” në Koçan. Seanca vazhdoi me paraqitjen e dëshmive dhe Raporteve mejkësore nga Prokuroria Publike. Sipas raporteve mjekësore, shumica e atyre që humbën jetën në të ashtuquajturën kabarenë “Puls” në Koçan vdiqën nga vdekje e dhunshme, si pasojë e ngufatjes nga helmimi dhe humbja e vetëdijes nga monoksidi i karbonit. Kjo u përcaktua nga protokollet e autopsisë, pra gjetjet e përgatitura nga Instituti i Mjekësisë Ligjore, Kriminalistikës dhe Deontologjisë Mjekësore, shkruan 360 gradë, transmeton Portalb.mk.
Raportet e Mjekësisë Ligjore mbi shkaqet e vdekjes së viktimave në kabaren “Puls”, u prezantuan nga prokurorja Natasha Saramandova.
Ndërsa ajo renditi raportet nga Mjekësia Ligjore siç ishin regjistruar sipas emërtimit dhe numrit, dokumentet u shfaqën në një ekran të madh në sallën e gjyqit. Ajo renditi shkaqet e vdekjes së secilit prej të ndjerëve individualisht me emër dhe mbiemër, sipas mendimit të raporteve të Mjekësisë Ligjore.
Rreth 50 prej tyre, siç deklaroi prokurorja, vdiqën nga helmimi me monoksid karboni dhe vdekja e tyre ishte e dhunshme. Katër nga viktimat, sipas protokolleve të autopsisë të paraqitura nga prokurorja, vdiqën nga presioni në gjoks. Tre nga viktimat humbën jetën si pasojë e mungesës së ajrit dhe oksigjenit në mjedisin përreth.
Ndërsa prokurorja lexonte raportet dhe shkaqet e përcaktuara të vdekjes, dëgjoheshin të qara mes prindërve. Autopsia e tre prej viktimave që vdiqën gjatë trajtimit përcaktoi gjithashtu vdekjen e dhunshme, e cila ndodhi për shkak të dështimit akut të mushkërive nga dehja me monoksid karboni, dhe në një për shkak të djegieve të shkallës së tretë në kokë dhe trup.
Prokuroria paraqiti gjithashtu një përgjigje me shkrim nga Mjekësia Ligjore, e cila, sipas saj, përmbante përgjigje për pyetjet se sa monoksid karboni është i pranishëm në gjak dhe sa shpejt ndodh vdekja nga asfiksia me monoksid karboni, cilat janë indikacionet specifike dhe jo specifike, dhe cili është ndryshimi mes asfiksisë dhe helmimit me monoksid karboni, si dhe nëse ata do të ishin shpëtuar nëse do t’i ishin nënshtruar terapisë me oksigjen në vendngjarje dhe në spitale.
Prokuroria gjithashtu propozoi që të thirrej dhe të merrej në pyetje një ekspert për t’iu përgjigjur të gjitha pyetjeve shtesë që lindën ose lindin nga mendimi i autopsisë.
“Ne ishim të gatshëm t’i paraqisnim këto materiale si prova sot. Ne e dimë se ju do të jeni të interesuar edhe për pyetjet që do të jepen nga eksperti, dhe për këtë arsye ne do t’i paraqesim ato me shkrim Gjykatës në mënyrë që ato të mund të ndahen”, tha prokurorja Saramandova.
Avokatët e mbrojtjes reaguan ndaj provave të paraqitura nga Prokuroria. Ata thanë se nuk ishte paraqitur pjesa e autopsisë në të cilën, sipas tyre, konstatohet se një pjesë e konsiderueshme e viktimave kanë thithur cianid hidrogjeni.
Ndryshe, Gjykata në fillim të seancës informoi se ende nuk është kthyer asnjë informacion në lidhje me disponueshmërinë e një dëshmitari, i cili duhej të dëgjohej sot, ndërsa për dy të tjerët, ekspertiza në lidhje me gatishmërinë e tyre për të dëshmuar ende nuk ka përfunduar, pas së cilës vendosi të vazhdojë me paraqitjen e provave materiale.
Mbrojtja fillimisht kundërshtoi që të lexoheshin deklaratat e tyre, sepse dëshmitarët kishin parë drejtpërdrejt se kush i vendosi, apo nuk i vendosi, mjetet piroteknike në skenë atë natë kritike.
Në fillim të seancës së sotme, mbrojtja e pronarit të akuzuar Dejan Jovanov-Deko përsëriti kërkesën që paraburgimi i tij efektiv të zëvendësohet me arrest shtëpiak, për shkak të përkeqësimit të shëndetit të tij. Avokatja mbrojtëse e Jovanov, avokatja Ivana Kocevska, tha se megjithëse e paraqitën këtë kërkesë në seancën e 20 prillit, ende nuk është marrë një vendim.
Zjarri në “Puls” shpërtheu më 16 mars 2025 gjatë një performance të grupit DNK dhe konsiderohet një nga tragjeditë më të rënda në historinë e re të vendit. Me seancën e sotme vazhdon procedura e provave me dëgjimin e dëshmitarëve të propozuar nga Prokuroria, e cila përfaqësohet nga një ekip prej 15 prokurorësh publikë.
Për zjarrin në “Puls” janë të akuzuar 35 persona fizikë dhe tre persona juridikë. Ndër ta janë pronari i “Puls”, persona të afërt të tij, inspektorë të institucioneve shtetërore, ish-ministra dhe pjesëtarë të agjencisë që siguronte kabarenë dhe pronari i saj.
Në fillim të procesit gjyqësor, të gjithë u deklaruan se nuk ndihen fajtorë dhe kundërshtuan tezën se ekziston lidhje shkak-pasojë midis veprimeve të tyre dhe shkaktimit të zjarrit fatal.