Qyteti i Shkupit dhe disa komuna të tjera do të marrin 49 automjete të reja dhe pajisje për higjienë komunale

Qyteti i Shkupit dhe disa komuna të tjera në vend – Kumanova, Prilepi, Ohri, Tetova, Negotina, Kërçova, Dibra dhe Velesi, do të marrin 49 automjete të reja dhe pajisje të specializuara për higjienë komunale, transmeton Portalb.mk.

Bëhet fjalë për 19 kamionë multifunksionalë të llojeve të ndryshme, nëntë kamionë të specializuar, cisterna dhe 21 automjete multifunksionale, të cilat duhet të ndihmojnë në pastrimin e rrugëve.

Blerja është realizuar përmes Ministrisë së Transportit, në kuadër të një projekti shumëvjeçar me Bankën Botërore për revitalizimin dhe ndërtimin e rrugëve të reja lokale dhe rajonale, i cili zbatohet në të gjitha komunat e vendit.

Ministri i Transportit dhe zëvendëskryeministri Aleksandar Nikolloski, në promovimin e sotëm të automjeteve, theksoi se blerja është realizuar përmes një procesi transparent. Nga vlera e parashikuar prej 5,5 milionë eurosh, pajisjet janë blerë për 4,2 milionë euro, duke realizuar një kursim prej rreth 1,3 milionë eurosh.

Ndërmarrja Publike „Higjiena Komunale“ e Shkupit, në kuadër të kësaj ndarjeje, do të marrë rreth 20 automjete të specializuara për përdorim të përhershëm. Bëhet fjalë për kamionë me kapacitet prej 3, 8, 17 dhe 20 metra kub, autocisterna për larjen mekanike të rrugëve dhe makina për fshirjen mekanike të tyre.

Kryetari i Shkupit, Orce Gjorgjievski, tha se mekanizimi modern do të mundësojë grumbullimin më të shpejtë, më efikas dhe më të rregullt të mbeturinave, duke kontribuar kështu për sipërfaqe publike më të pastra dhe një mjedis më të shëndetshëm për të gjithë qytetarët.

Ai njoftoi se Qyteti i Shkupit, me mjete të veta, po blen edhe automjete të tjera të specializuara dhe mbi 3.300 kontejnerë të rinj, për të cilët procedura është në fazën përfundimtare.

Higjiena Komunale ShkupQyteti i Shkupit