Qeveria e kaloi te Komuna e Çairit pronën e Sheshit “Skënderbeu”, Mexhiti paralajmëroi zhbllokim të punimeve

Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, ka paralajmëruar zhbllokim të punimeve në sheshin “Skënderbeu”, duke njoftuar se Qeveria e Maqedonisë së Veriut e kaloi te Komuna e Çairit pronësinë e këtij sheshi, transmeton Portalb.mk.

“Sot, Qeveria miratoi vendimin për kalimin e pronësisë së tokës së Sheshit “Skënderbeu” te Komuna e Çairit. Me këtë vendim hiqet pengesa e fundit administrative dhe hapet rruga për realizimin e fazës së tretë të Sheshit “Skënderbeu”. Ky është një hap i rëndësishëm”, deklaroi Mexhiti.

Ai deklaroi që përmes këtij vendimi, po i afrohemi kompletimi të projektit, duke paralajmëruar se së shpejti do të hapet tentimit për nisjen e punimeve.

Ndryshe, transformimi i sheshit ‘Skënderbeu’ në bibliotekë shqipe vazhdon të mbetet ende premtim dhe procedura në letër, pa rezultat konkret edhe rreth një muaji pas premtimit të kryetarit të Komunës së Çairit, Izet Mexhiti.

Çfarë premtoi kreu i Çairit, Izet Mexhiti para një muaji?

“Po ndërtojmë Bibliotekën Shqipe. Po nisim procedurën për transformimin e hapësirës mbi Sheshin ‘Skënderbeu’ në një bibliotekë moderne, të hapur për nxënësit, studentët dhe të gjithë qytetarët. Kjo do të jetë një shtëpi e dijes dhe kulturës në zemër të Çairit”, u shpreh Mexhiti në fillim të qershorit.

Ai njoftoi se projekti do të “pasurojë jetën kulturore në Komunën e Çairit dhe do të mundësojë qasje më të lehtë në literaturë në gjuhën shqipe, por edhe në gjuhë të tjera, për të gjitha brezat”.

Mexhiti nuk shpjegoi se cili do të jetë statusi administrativ i bibliotekës shqipe mbi sheshin Skënderbeu.

Ndryshe, kupolat gjysmësferike (tendat) në Sheshin Skënderbeu në Shkup janë pjesë e projektit origjinal të sheshit. Ndërtimi i sheshit filloi në vitin 2012, ndërsa projekti u përmbyll dhe u inaugurua zyrtarisht në fund të shtatorit të vitit 2017. Kupolat u vunë në funksion si e vetmja pjesë e mbuluar e sheshit, duke ofruar mbrojtje nga shiu dhe temperaturat e larta.

Megjithatë, me kalimin e viteve ato u dëmtuan për shkak të mungesës së mirëmbajtjes. Në vitin 2023, Portalb.mk raportoi se kupolat ishin në gjendje të keqe, disa prej tyre ishin shndërruar në strehë për persona të pastrehë, ndërsa Komuna e Çairit premtoi se do t’i zëvendësonte me të reja.

ÇairiIzet MexhitiKomuna e ÇairitQeveria e Maqedonisë së VeriutSheshi Skenderbeu - Shkup