Punonjësit e REK Manastir me simptoma helmimi nga ushqimi, disa përfunduan në spital

Punonjës të termocentralit REK “Manastir” janë ankuar për probleme me stomakun, të cilat mund të jenë shkaktuar nga helmimi me ushqim, transmeton Portalb.mk.

Disa prej tyre kanë kërkuar ndihmë mjekësore në spital, ndërsa të tjerë me simptoma të ngjashme kanë lënë vendin e punës dhe janë trajtuar në shtëpi.

Nga LSDM Manastir akuzuan se një numër i madh i punonjësve janë helmuar nga vakti i shërbyer dje në REK “Manastir”.

Por nga REK “Manastir” njoftuan se nuk bëhet fjalë për helmim masiv, por se vetëm 4–5 persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore në spitalin e Manastirit, ndërsa një pjesë e punonjësve të tjerë me simptoma të mundshme janë larguar në shtëpi pa kërkuar ndihmë mjekësore.

Nga aty thonë se për momentin nuk mund të përcaktohet me siguri nëse bëhet fjalë për helmim nga ushqimi apo për infeksion viral, duke pasur parasysh se është periudhë me përhapje të shtuar të sëmundjeve virale.

“Rezultatet përfundimtare do të jenë të njohura pas përfundimit të inspektimit të jashtëzakonshëm”, thonë nga REK.

Kuzhina në REK menaxhohet nga hoteli “Molika”. Nga kombinati thonë se në kuzhinë merren rregullisht mostra të ushqimit çdo ditë, përmes të cilave monitorohet dhe konfirmohet cilësia dhe siguria e tij.

Termocentrali REK - TEC Manastir