Punonjësit “digjen” nga i nxehti në Ministrinë e Ekonomisë: Klimatizimi jashtë funksionit prej javësh, punonjësit sjellin ventilatorë nga shtëpia

Në objektin e Ministrisë së Ekonomisë dhe Punës tani e disa javë, si pasojë e defektit, nuk punon klimatizimi, si rrjedhojë punëtorët përballen me temperatura të larta në punë, shkruan Portalb.mk. 

Derisa temperaturat përvëluese po e mbërthejnë vendin, punonjësit e Ministrisë së Ekonomisë dhe Punës po përballen me një krizë të brendshme, klimatizimi në objekt nuk funksionon prej javësh, duke i lënë të ekspozuar ndaj vapës. 

punësuarit ankohen se në kushte të tilla nuk punohet. 

“Klimë nuk kemi pasur nga fillimi i qershorit sa më kujtohet, po njëherë e rregulluan, mandej nga 10 korriku përsëri pati defekt”, na tha një punonjës i ministrisë. 

Ai madje tha se dje punëtorët janë lëshuar më herët nga puna pasi nuk punon klima. 

Një punonjëse tjetër na tha se ky problem vijon tani e disa javë dhe se detyrohen të punojnë në temperatura të larta dhe se nuk merret asnjë masë.

“Situata është e rëndë, nuk mund të punojmë në këto temperatura. Disa nga kolegët kanë sjellë nga shtëpia flladitëse (ventilatorë). Ata në kabinet te ministri kanë blerë klima të reja”, tha punonjësja.

Të pyetur për këtë problem, nga Ministria e Ekonomisë dhe Punës për Portalb.mk thonë se shkaku i defektit është konsumimi i sistemit, i cili është pothuajse 30 vjet i vjetër. 

Nga ky institucion theksojnë se klimatizimi në Ministrinë e Ekonomisë dhe Punës është i centralizuar dhe se për servisimin e tij përgjegjës është Shërbimi për Punë të Përgjithshme dhe të Përbashkëta i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut. 

Për shkak të një defekti të ftohësit, ishte jashtë funksionit, por gjatë asaj periudhe, pas një inspektimi të Inspektoratit Shtetëror të Punës, u mor vendim që punonjësit të punonin me kohë të pjesshme, duke filluar nga ora 7 e mëngjesit, me detyrimin për të kryer një pjesë të detyrave të tyre nga shtëpia për dy orët e fundit. Klimatizimi ka dalë përsëri jashtë funksionit që nga dje, shërbimet janë njoftuar për defektin e ri, dhe punonjësit punuan me kohë të pjesshme dje”, thanë nga Ministria e Ekonomisë dhe Punës. 

Kërkuam sqarim edhe nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut, por deri në publikimin e këtij teksti nuk morëm përgjigje. 

Kujtojmë se periudhën e fundit vendi po përballet me temperatura shumë të larta, si rrjedhojë autoritetet vazhdimisht dalin me rekomandime. 

Besar DurmishiMinistria e Ekonomisë dhe Punës (MEP)Qeveria e Maqedonisë së VeriutTemperatura të larta