Me interkonektorët me Greqinë dhe Serbinë, Maqedonia synon të bëhet korridor tranziti energjetik

Bashkëpunimi rajonal energjetik, përshpejtimi i projekteve infrastrukturore dhe forcimi i sigurisë dhe qëndrueshmërisë së sistemeve energjetike janë në fokus të samitit të dytë ministror të ministrave të energjisë të Maqedonisë, Serbisë, Greqisë dhe Bullgarisë, i cili javën e ardhshme do të mbahet në Serbi, transmeton Portalb.mk.

Për Maqedoninë, veçanërisht të rëndësishëm janë dy interkonektorët e gazit, me Greqinë dhe me Serbinë.

Interkonektori Maqedoni–Greqi është një nga projektet strategjike për diversifikimin e furnizimit me gaz natyror dhe hapjen e qasjes në më shumë burime dhe drejtime përmes sistemit grek, përfshirë edhe infrastrukturën LNG. Projekti ka një kapacitet fillestar të planifikuar prej 1.5 miliardë metra kub në vit, me mundësi rritjeje në përputhje me nevojat e ardhshme të tregut, ndërsa ndërtimi në të dyja anët është në zhvillim e sipër me qëllim që projekti të përfundojë në vitin 2027.

Ndërkohë, Maqedonia tashmë ka ndërmarrë një hap konkret drejt lidhjes së re energjetike me Serbinë. Në shtator u nënshkrua marrëveshja për projektimin dhe ndërtimin e pjesës maqedonase të interkonektorit, në vlerë prej 29.4 milionë eurosh. Seksioni në territorin e Maqedonisë do të jetë 22.4 kilometra i gjatë, me rrjedhje dykahëshe dhe kapacitet prej 1.4 miliardë metra kub në vit.

“Me realizimin e interkonektorit mes Maqedonisë dhe Serbisë, të dyja vendet do të shndërrohen në një korridor të rëndësishëm tranziti për gazin natyror në rajon. Lidhja e burimeve jugore të furnizimit përmes Greqisë me tregjet në Evropën Qendrore do të mundësojë flukse më të mëdha tranziti, të ardhura të reja nga përdorimi i infrastrukturës, siguri më të madhe energjetike dhe përfitime shtesë ekonomike për qytetarët dhe ekonominë”, thonë nga Ministria e Energjisë.

Në të njëjtën kohë, pas më shumë se tri dekadash, Maqedonia do ta forcojë rolin e saj jo vetëm si vend konsumator, por edhe si vend nëpër të cilin do të zhvillohet tranziti rajonal energjetik. Një hap veçanërisht i rëndësishëm ndërkohë është edhe zgjerimi i Korridorit Vertikal të Gazit drejt Ballkanit Perëndimor. Në shtator, NOMAGAS dhe “Transportgas Serbia” nënshkruan Memorandum për zgjerimin e iniciativës, me çka Maqedonia dhe Serbia iu bashkuan rrjetit rajonal që lidh Greqinë, Bullgarinë, Rumaninë, Hungarinë, Sllovakinë, Ukrainën dhe Moldavinë.

Qëllimi është të mundësohen flukse më të mëdha dhe më fleksibile ndërkufitare të gazit, shfrytëzim më i mirë i infrastrukturës ekzistuese dhe hapje e mundësive shtesë për furnizim nga jugu drejt veriut. Në kuadër të iniciativës tashmë po punohet në koordinimin teknik dhe komercial, kapacitetet e pikave të interkoneksionit dhe investimet e nevojshme infrastrukturore.

“Pikërisht këto tema do të jenë ndër kryesoret në samitin e dytë ministror – si të harmonizohen kapacitetet, presionet dhe regjimet e punës së sistemeve të transmetimit, si të lehtësohet transporti ndërkufitar dhe si projektet infrastrukturore rajonale të shndërrohen më shpejt në lidhje funksionale energjetike. Në samitin e dytë do të diskutohet edhe për sigurinë e furnizimit me energji elektrike, gjendjen dhe gatishmërinë e sistemeve të transmetimit, shkëmbimin e energjisë elektrike, zhvillimin e kapaciteteve të ripërtëritshme dhe ruajtjen e energjisë, përfshirë sistemet e baterive dhe hidrocentralet me akumulim me pompim”, thonë nga Ministria.

Kjo është veçanërisht e rëndësishme në kushtet e rritjes së shpejtë të burimeve të ripërtëritshme në rajon, pasi kapacitetet e reja diellore dhe të erës kërkojnë rrjete më të fuqishme, fleksibilitet më të madh dhe mundësi që energjia e prodhuar të ruhet dhe të transmetohet atje ku nevojitet.

Paralelisht, të katër vendet do të shqyrtojnë edhe integrimin e mëtejshëm të tregjeve rajonale të energjisë elektrike, si dhe mundësitë për përballimin e përbashkët të rreziqeve dhe sfidave në furnizim.

EnergjetikëGazi natyror