Çfarë ndryshon në të vërtetë te pushimet mjekësore në RMV? FSSH sqaron dallimin mes pesë dhe 15 ditëve

Dita e pestë nuk do të nënkuptojë kthimin në punë për pacientin që ende ka nevojë për trajtim. Sipas sqarimit të Fondit për Sigurim Shëndetësor (FSSH), ndryshimet e propozuara u referohen kushteve mjekësore për vazhdimin e pushimit mjekësor, dhe jo kufizimit të kohëzgjatjes së tij të përgjithshme, transmeton Portalb.mk.

Reagimet në opinion janë përqendruar te propozimi që kriteret shtesë për diagnoza të caktuara të zbatohen pas ditës së pestë, në vend të ditës së shtatë. Drejtori i përgjithshëm i FSSH-së, Zlatko Perinski, siguron se me këtë nuk hiqen ditë nga pushimi mjekësor dhe se kohëzgjatja e tij do të vazhdojë të përcaktohet në bazë të gjendjes shëndetësore.

Kjo do të thotë se një pacient me nevojë të arsyeshme mjekësore do të mund të përdorë pushim mjekësor për dhjetë, njëzet, tridhjetë ditë ose më gjatë. Sipas sqarimit, numri pesë tregon periudhën gjatë së cilës mjeku amë përcakton paaftësinë për punë bazuar në vlerësimin e tij, pa kriteret shtesë të parashikuara për diagnozën konkrete.

Kompetencat e mjekut amë mbeten deri në 15 ditë. Nëse pushimi mjekësor duhet të vazhdojë pas ditës së pestë, ai edhe më tej do të mund ta përcaktojë atë brenda këtij afati, me mbështetjen përkatëse specialistike ose diagnostikuese aty ku është paraparë. Për mungesë në punë më të gjatë se 15 ditë vendos komisioni mjekësor.

Nga Fondi theksojnë gjithashtu se qasja e propozuar nuk nënkupton ekzaminime shtesë të detyrueshme për të gjithë pacientët. Dokumentacioni i nevojshëm do të varet nga diagnoza, ndërsa te disa gjendje vendimi do të mbetet plotësisht në duart e mjekut amë, pa detyrim për analiza laboratorike që nuk janë të nevojshme.

Në paketën e ndryshimeve paralajmërohen edhe lehtësime në procedurë. Mes tyre janë digjitalizimi dhe zgjerimi i rasteve në të cilat pushimi mjekësor do të mund të përcaktohet pa praninë fizike të të siguruarit. Paralelisht parashikohen edhe kontrolle më efikase.

Prandaj, dallimi thelbësor është mes kohëzgjatjes së pushimit mjekësor dhe mbështetjes mjekësore për vazhdimin e tij. Sipas FSSH-së, e drejta për mungesë në punë për shkak të sëmundjes mbetet e lidhur me nevojat e pacientit, ndërsa ndryshimet e propozuara ndryshojnë mënyrën se si këto nevoja përcaktohen dhe dokumentohen.

Autoritetet në Maqedoninë e Veriut thonë se ndryshimet e reja në rregullat për pushimin mjekësor synojnë të parandalojnë keqpërdorimet.

Me kërkesë të Ministrisë së Brendshme, Fondi i Sigurimeve Shëndetësore në gjysmën e dytë të vitit 2025 kontrolloi 80 punonjës me gjithsej 514 leje mjekësore. Parregullsi u përcaktuan në 29 persona, pra në rreth 37 përqind të punonjësve të kontrolluar. Nga gjithsej 514 leje mjekësore të kontrolluara, 100 u vlerësuan si të lëshuara në mënyrë të parregullt. Kontrolli përfshinte gjithashtu 105 institucione private shëndetësore, dhe parregullsi u përcaktuan edhe në disa mjekë dhe komisione mjekësore.

Fondi i Sigurimit Shëndetësor RMVMinistria e Shëndetësisë (MSH)