Ekipi i prokurorëve që po vepron në lëndën për zjarrin në diskotekën “Pulse” në Koçan sot ka dorëzuar mendim negativ dhe ka kërkuar që të refuzohet si i pabazuar propozimi për caktimin e garancisë, i parashtruar nga i akuzuari Dejan Jovanov nga Koçani, transmeton Portalb.mk.
Me propozimin është kërkuar nga gjykata që ndaj të akuzuarit të caktohet masë garancie në vlerë të përgjithshme prej 195.820 euro, përkatësisht 12.042.932 denarë, e cila do të përbëhej nga vendosja e hipotekës mbi pasuri të paluajtshme.
Megjithatë, sipas Prokurorisë, gjatë marrjes së vendimit, gjykata duhet t’i kushtojë vëmendje të veçantë faktit se deklaratën me të cilën jep pëlqimin që pasuria e ofruar të përdoret si garanci, i akuzuari Dejan Jovanov e ka dhënë megjithëse ishte në dijeni se një pjesë e pasurisë së paluajtshme të ofruar është objekt i procedurës së përmbarimit dhe, për rrjedhojë, as nuk mund të vendoset hipotekë mbi të dhe aq më pak të shitet për të siguruar mjete monetare.
“Përveç kësaj, pasuritë e paluajtshme të ofruara në pjesën më të madhe përbëhen nga hapësira ndihmëse, objekte, kasolle dhe hambarë, të cilat më parë kanë qenë objekte të ndërtuara pa leje. Kjo pasuri, në rast të nevojës eventuale, do të mund të shitej me vështirësi të jashtëzakonshme dhe, në çdo rast, jo në vlerën në të cilën është vlerësuar”, thonë nga Prokuroria.
Në zjarrin në të ashtuquajturën kabare “Puls” në Koçan, më 16 mars 2025, gjatë performancës së grupit DNK, humbën jetën 63 persona, ndërsa mbi 200 u lënduan.
- LEXO: Gjykimi për zjarrin në Koçan, prindërit e viktimave u nxorën nga salla pas përballjes me të akuzuarin Jovanov
- LEXO: Pronari i “Pulsit” ofroi 200 mijë euro në pasuri të paluajtshme si garanci se nuk do të arratiset pas lirimit nga paraburgimi
- LEXO: Ekspertiza: Rikonstruimi i “Pulse” ishte i paligjshëm, objekti nuk mund të ishte kabare