Gjobë prej 250 eurosh do t’u vendoset prindërve të fëmijëve që ushtrojnë dhunë në shkollë. Përveç kësaj, do të sanksionohet edhe refuzimi i prindit për të bashkëpunuar me shkollën dhe institucionet kompetente. Këtë e njoftoi sot ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, duke shtuar se po punohet për ndryshime ligjore që do të parashikojnë sanksione për prindërit, fëmijët e të cilëve kryejnë akte të dhunshme, transmeton Portalb.mk.
Duke folur për ndryshimet ligjore që do të parashikojnë futjen e dënimeve për prindërit, fëmijët e të cilëve kryejnë dhunë në shkollë, ajo tha se deputetët janë të përfshirë në proces dhe se po punohet për finalizimin e propozimeve.
“Sekretari i shtetit është në kontakt të vazhdueshëm me deputetët. Mendoj se ata aktualisht janë në Parlament për të finalizuar këto propozime. Një vendim është marrë tashmë, ato ndryshime do të merren dhe një gjobë prej 250 eurosh do t’i vendoset prindit për çdo akt të dhunshëm të kryer nga fëmija, ndërds refuzimi i prindit për të bashkëpunuar me shkollën dhe institucionet gjithashtu do të sanksionohet”, tha ajo.
Janevska i njoftoi këto ndryshime ligjore dy ditë më parë, me qëllim krijimin e një mjedisi shkollor më të sigurt, pas disa rasteve të dhunës publike midis bashkëmoshatarëve, përfshirë incidentin në shkollën fillore “25 Maj” në Hasanbeg, ku një nxënës 15-vjeçar u plagos me një objekt të mprehtë.
Ajo u bëri thirrje prindërve t’u kushtojnë më shumë vëmendje fëmijëve të tyre sepse, siç thotë ajo, me përjashtim të shembujve të rrallë, fëmijët nuk zhvillojnë agresivitet në shkollë, por përkundrazi vijnë në shkollë agresivë, dhe armët e ftohta, si shembulli në Hasanbeg, nuk gjenden në shkollë, por sillen nga jashtë.