Një prokuror publik nga Departamenti për të Mitur pranë Prokurorisë Themelore Publike në Shkup i ka paraqitur gjyqtarit kompetent për të mitur kërkesë për fillimin e procedurës përgatitore ndaj dy vajzave 14-vjeçare, për të cilat ekziston dyshimi i bazuar se kanë kryer vepër që me ligj parashikohet si dhunë, transmeton Portalb.mk.
Për një 15-vjeçar është kërkuar procedurë përgatitore për ndihmë në kryerjen e kësaj vepre penale, si dhe për veprën incizim i paautorizuar, sipas nenit 152, paragrafi 1 të Kodit Penal. Procedurë përgatitore për incizim të paautorizuar është kërkuar edhe ndaj një të mituri tjetër, 14 vjeç.
Sipas Prokurorisë, vajzat e dyshuara më 30 qershor, në një kënd lojërash pas një qendre tregtare në Shkup, në grup ushtruan dhunë të rëndë dhe rrezikuan sigurinë e një vajze 12-vjeçare. Në ngjarje mori pjesë edhe një fëmijë tjetër në rrezik, 13 vjeç, i cili për shkak të moshës nuk mund të mbajë përgjegjësi penale.
Ato e detyruan viktimën të gjunjëzohej dhe t’u kërkonte falje, më pas e goditën me shuplaka dhe e tërhoqën për flokësh. Si pasojë e goditjeve, e dëmtuara pësoi lëndime trupore, ndërsa te shoqja e saj, dëshmitare e ngjarjes, si dhe te publiku, u shkaktua ndjenjë pasigurie, rrezikimi dhe frike.
Njëri nga djemtë i ndihmoi në kryerjen e dhunës duke u dhënë këshilla, udhëzime dhe duke i inkurajuar se si ta kryenin veprën. Dy djemtë incizuan pa autorizim aktin e dhunës, pa pëlqimin e viktimës dhe duke cenuar privatësinë e saj. Më pas, videon ua dërguan edhe vajzave që ushtruan dhunën.
Prokurori publik kërkoi nga gjykata që gjatë procedurës të caktojë edhe një masë kujdesi, me të cilën fëmijëve në konflikt me ligjin t’u ndalohet t’i afrohen, të vendosin ose të mbajnë kontakte mes tyre, si dhe me viktimën.
Kujtojmë se rastet e dhunës mes të rinjve në Maqedoninë e Veriut kanë shënuar rritje gjatë periudhës së fundit, duke nxitur reagime të institucioneve. Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, ka deklaruar se dhuna nuk fillon në shkollë, por më së shpeshti buron nga familja, duke theksuar se pa përfshirjen aktive të prindërve nuk mund të ketë luftë efikase kundër këtij fenomeni. Ajo bëri të ditur se janë duke u përgatitur ndryshime ligjore që parashikojnë gjobë prej 250 eurosh për prindërit e fëmijëve që ushtrojnë dhunë në shkollë, si dhe për ata që refuzojnë të bashkëpunojnë me shkollën dhe institucionet kompetente, me qëllim rritjen e përgjegjësisë dhe parandalimin e rasteve të reja të dhunës.
- LEXO: Dhuna midis të rinjve sa vjen e rritet, masa kujdesi ndaj tre të dyshuarve për dhunë ndaj një të mituri në Shkup
- LEXO: Janevska: Dhuna nuk fillon në shkollë, por më shpesh në familje
- LEXO: Janevska: Gjobë prej 250 eurosh për prindërit, fëmijët e të cilëve ushtrojnë dhunë në shkollë
- LEXO: Mjeku Merxhanoski për gjendjen shëndetësore të nxënësit që u plagos në Hasanbeg të Shkupit: “Stabile, por me rrezik për jetë”