Drejtori i Emergjencës pranë Qendrës Klinike “Nënë Tereza” në Shkup, Igor Merxhanoski ka dhënë detaje nga gjendja shëndetësore e nxënësit që u plagos nga bashkëmoshatari i tij në shkollën fillore në Hasanbeg të Shkupit, përcjell TV21. Merxhanoski thotë e gjendja e tij është stabile, por me rrezik për jetë.
“Pacienti është 14 vjeç dhe është pranuar gjatë ditës së djeshme rreth orës 14:40 me plagë shpuese në zonën e barkut dhe një prerje në kokë. Pas pranimit, janë bërë diagnostikime me CT, analiza laboratorike dhe është transferuar urgjentisht në kujdes intensiv, ku është vendosur indikacion për operacion urgjent. Pacienti është operuar gjatë ditës së djeshme. Gjendja sot është stabile, por ende mbetet në rrezik për jetën. Ka dëmtim të mëlçisë dhe të venës kava inferiore, e cila është një venë në zonën e barkut”, deklaroi për TV21, Igor Merxhanoski, drejtor i Qendrës së Urgjencës.
MPB njoftoi se ka ndaluar një djalë 15-vjeçar nga Shkupi, i cili ka plagosur rëndë një bashkëmoshatar të tij. Sipas policisë, incidenti ka ndodhur në një shkollë fillore në komunën e Gazi Babës, kur i mituri ka hyrë në shkollë dhe me një mjet të mprehtë ka sulmuar një nxënës 15-vjeçar brenda objektit shkollor. Viktima ka pësuar lëndime të rënda trupore.
Nga policia është bërë e ditur se mjeti i mprehtë është sekuestruar dhe se do të ndiqet procedura përkatëse.
“Në datë 11.05.2026, në ora 14:50 në Shkup, zyrtarët policorë të SPB Shkup privuan nga liria një 15-vjeçar nga Shkupi, pas një denoncimi paraprak nga një shkollë fillore komunale në territorin e Gazi Babës, se i denoncuari kishte hyrë në shkollë dhe me një mjet të mprehtë i kishte shkaktuar lëndime të rënda trupore një nxënësi 15-vjeçar në shkollë. Mjeti është sekuestruar dhe pas dokumentimit të plotë të rastit do të ngrihet kallëzim përkatës”, thuhet në njoftimin e policisë.